Formacioni i dytë i ekipit të Vllaznisë ka zhvilluar një tjetër përballje ndaj futbollistëve të Vllaznia U-21. Ndeshja, e luajtur në fushën sportive të kompleksit “Hasaj” në Golem, u dominua tërësisht nga futbollistët e ekipit të parë. Këtë e tregon më së miri edhe rezultati i thellë në favorin e tyre, 6-0. Protagonisti kryesor në këtë ndeshje ishte mesfushori Antonio Delaj, i cili shënoi tre gola. Ndërkohë që, golat e tjerë kanë për autorë futbollistët Mehdi Çoba, Arval Maliqi dhe Ensar Tafili. Pas ndeshjes, trajneri Thomas Brdariç u shfaq i kënaqur, ndërsa foli edhe për mbrojtësin e majtë që është në provë, Podrimcaku.
Në këtë ndeshje, sulmuesi senegalez Matar Dieye, i ardhur dy ditë më parë, nuk ka qenë fare i pranishëm, teksa trajneri Thomas Brdariç pret që shumë shpejt ta ketë në stërvitje me ekipin.