E ka mbyllur me fitore fazën e dytë të kampionatit “Vllaznia B” teksa ka mundur me rezultatin e thellë 5-2 ekipin e Albpetrolit në ndeshjen e zhvilluar në “Reshit Rusi”.

Ndonëse kanë qenë miqtë ata që kanë kaluar të parët në avantazh, kuqeblutë kanë arritur të përmbysin shifrat. Fillimisht ka barazuar Ruqi dhe më pas Djepaxhia ka kaluar në avantazh ekipin e tij duke bërë që pjesa e parë të mbyllej në shifrat 2-1. Në fillimin e pjesës së dytë do ishte sërish Ruqi ai që do të shënonte golin e tretë ndërsa pak minuta më vonë, do të vinte edhe goli i katërt me autor Kushin. Albpetroli do të shënonte edhe një gol të dytë por që nuk do t’i mjaftonte për asgjë sepse sulmuesi Miloti shënon golin e pestë për Vllazninë dhe të fundit të kësaj ndeshje.

Në këtë mënyrë, “Vllaznia B” e ka mbyllur kampionatin në vendin e dytë në renditje në grupin A me 53 pikë të grumbulluara, me 17 fitore të arritura, 2 barazime dhe 5 humbje ndërkohë që golaverazhi i saj është 53-24. Me këto rezultate, ekipi i dytë i klubit Vllaznia ka fituar të drejtën për t’u ndeshur në play-off me skuadrën e parafundit të grupit B të kategorisë së parë. Me këtë kundërshtar, kuqeblutë do të zhvillojnë një ndeshje të vetme në fushë asnjëanëse dhe në rast fitoreje kuqeblutë do të ngjiten një kategori më lart.

Vllaznia B është shumë pranë kësaj arritje historike sepse e nisën sezonin e kaluar në kategorinë e tretë, këtë vit në të dytën dhe sezonin e ardhshëm me shumë mundësi do jenë në Kategorinë e Parë. Nga ana tjetër edhe Ada e Velipojës ka siguruar qëndrimin në kategorinë e dytë ndërsa këtë kampionat nuk e nisi shumë mirë duke rrezikuar fillimisht por më pas arriti që të marrë pikët e duhura për të siguruar mbijetesën.

Artikulli paraprakDITA NDËRKOMBËTARE E FAMILJES
Artikulli tjetërYEE: OFERTA E MCALLISTER E MIRË. DUHET DIALOG MES PALËVE, KOHA PO SKADON