Pas fitores të ekipit të parë të Vllaznisë ndaj bardhebluve të Tiranës, një tjetër ekip i klubit kuqeblu ka arritur të fitojë ndaj kryeqytetasve.
Bëhet fjalë për ekipin B të Vllaznisë të drejtuar nga trajneri Ervis Kraja që ka fituar ndaj Tirana B me rezultatin e pastër 3-0 në ndeshjen e rradhës për kampionat. Takimi i luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” është pritur me interes dhe kjo është demostruar edhe në fushën e lojës nga kuqeblutë. Në pjesën e parë ka qenë Arsid Kruja ai që do të zhbllokonte rezultatin dy minuta para përfundimit të saj. Kruja dha edhe asistin në golin e dytë dhe të fitores për ekipin e parë të Vllaznisë ndaj ekipit të parë të Tiranës në kategorinë superiore. Ky gol i Krujës i ka dhënë qetësinë vendasve të cilët në pjesën e dytë do të administronin gjithçka. Vllaznia B shënon edhe golin e dytë, kësaj here të shënuar nga Arsen Hajdari në minutën e 65-të.
Ky avantazh erdhi duke u konsoliduar. Rezultati përfundimtar i këtij takimi do të mbyllej me golin e Arlind Kalasë, duke bërë që Vllaznia B ta fitojë këtë ndeshje me rezultatin e pastër 3-0. Me këtë fitore, kuqeblutë vazhdojnë të mbajnë vendin e dytë në renditje me 40 pikë, e shkëputur me 4 pikë nga Vora e vendit të tretë që në fakt ka zhvilluar edhe një ndeshje më shumë. Objektivi i ekipit shkodran është mbajtja e vendit të dytë që e çon atë direkt në play-off duke shpresuar më pas për të dalë në Kategorinë e Parë. Shkodranët i kanë të gjitha mundësitë ndaj po përpiqen që ta realizojnë objektivin e tyre. Vllaznia B në këtë ndeshje aktivizoi lojtarë të ekipit të parë si Kruja, Kalaja, Hajdari, Gurishta apo edhe Dyca duke arritur që të fitojë pa probleme ndaj ekipit të Tirana B.