Në kuadrin e dy ditëve, Vllaznia ka zhvilluar dy ndeshje miqësore, ku trajneri Qatip Osmani ka pasur mundësi që të testojë të gjithë futbollistët që ka në dispozicion. Të dielën, titullarët fituan 3-1 testin ndaj Laçit, ndërsa të hënën rezervat dhe të rinjtë kanë zhgënjyer disi, duke mos shkuar më shumë se një barazim 2-2 me Besëlidhjen, skuadër që militon në Kategorinë e Dytë. Miqësorja me lezhjanët u zhvillua në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe Besëlidhja kaloi në avantazh që në minutën e katërt me golin e shkodranit Florind Bardulla. Në minutën e 31-të, Vllaznia arrin të barazojë rezultatin me brazilianin Bruno Gomes, i cili arriti të finalizojë pasimin e dhënë nga Dulaj.
Pjesa e parë u mbyll në shifrat 1-1. Pjesa e dytë nisi më mirë për kuqeblutë, që në minutën e 60-të kalojnë në avantazhin me sulmuesin Gomes, i cili dha një sinjal të mirë për trajnerin Qatip Osmani në prag të fillimit të pjesës së dytë të sezonit. Tre minuta më vonë, lezhjanët fitojnë një penallti, por Bruka shpërdoron nga pika e bardhë, duke dërguar topin jashtë kuadratit të portës së Vllaznisë.
Megjithatë, Besëlidhja nuk dorëzohet dhe në minutën e 76-të, Marku barazon shifrat në 2-2 me anë të një goli spektakolar. Në minutat në vijim, rezultati nuk pësoi ndryshim dhe gjithçka u mbyll në barazim 2-2. Pas këtij barazimi në këtë miqësore me Besëlidhjen, trajneri i Vllaznisë, Qatip Osmani, u shfaq i kënaqur me kontigjentin e të rinjve që aktivizoi.
Nga ana tjetër, trajneri i Besëlidhjes, Dritan Smajli, tha se dy miqësoret me Vllazninë ia arritën qëllimit.
Tashmë, këtë javë Vllaznia do t’u japë dorën e fundit përgatitjeve përpara fillimit të aktiviteve zyrtare.