Vllaznia e basketbollit të femrave ka mbetur pa trajner. Kështu, Bledar Gjeçaj që drejtoi këtë skuadër vitin e kaluar, në sezonin e ri do të jetë zv/trajner i ekipit të meshkujve të Bashkimit të Prizrenit. Kjo ka bërë që me largimin e tij të krijohet një problem jo i vogël për ekipin shkodran. Në këto rrethana, ka një dilemë të madhe se kush do të jetë pasuesi i Gjeçajt në këtë detyrë. Drejtuesit e Shoqatës së Basketbollit Vllaznia po shqyrtojnë opsionet e mundshme dhe në ditët në vazhdim pritet edhe emërimi zyrtar.
Megjithatë, të gjitha gjasat janë që të jetë një prej basketbollisteve aktuale të ekipit dhe kuptohet që bëhet fjalë për lojtaret me përvojë. Një nga kandidatët kryesore për të marrë drejtimin është Medina Mustafa, që është njëkohësisht edhe trajnerja e ekipit U-18. Një tjetër emër është edhe Ingrid Dashja, e cila është një ndër basketbollistet më me eksperiencë që Vllaznia ka në gjirin e saj.
Në fakt, mundësitë e zgjedhjes nuk janë të shumta, por nuk përjashtohet që të jetë edhe ndonjë alternativë tjetër për t’u emëruar në krye të këtij ekipi. Largimi i Bledar Gjeçajt kuptohet që do të ketë një efekt negativ, teksa ai ka bërë një punë të mirë me Vllazninë në basketboll për femra, ekip ky i përbërë kryesisht nga basketbolliste të reja dhe kushdo që do ta zëvendësojë në këtë detyrë, nuk do ta ketë aspak të lehtë mbajtjen në këto nivele të skuadrës kuqeblu.