Vllaznia do të ketë buxhet për vitin 2020 jo më shumë se 440 milion lekë të vjetër. Kaq ka menduar bashkia Shkodër për të dërguar në buxhetin e 2020-ës që pritet të miratohet më 29 dhjetor në një mbledhje të këshillit bashkiak bashkë me programet e tjera buxhetore.
Në fakt kjo shumë parash prej 440 milion lekësh të vjetër nuk mjafton aspak për nevojat që ka Vllaznia për pjesën e mbetur të këtij sezoni por edhe për riformatimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.
Kjo shumë nuk korrespondon as me synimet ose objektivat që janë paraqitur në buxhet për këtë sezon teksa Vllaznia kërkon ndërtimin e një ekipi konkurues për Kupat e Europës. Shkodranët janë po aq sa afër këtij objektiv, po aq edhe larg.
Në fakt është ende herët për të bërë llogaritë sepse ka përfunduar vetëm pjesa e parë e sezonit dhe gjërat mund të ndryshojnë shumë në vazhdim, aq më tepër që jemi para merkatos. Shuma prej 440 milion lekë të vjetër është më pak se sa ajo e vitit të kaluar kur Vllaznia ndodhej në Kategorinë e Parë.
Drejtuesit e klubit kanë pritur një shumë më të madhe por bashkia ka vendosur të parashikojë 10 milion lekë të vjetër më pak se vitin e kaluar kur Vllaznia ndodhej në Kategorinë e Parë.
Buxheti i 2019-ës ashtu si çdo vit nuk mjaftoi dhe këshilli bashkiak në tetorin e këtij viti miratoi edhe 200 milion lekë të vjetra të tjera për Vllazninë duke bërë që buxheti real për 2019-ën të shkojë në 650 milion lekë të vjetër prej të cilave një pjesë janë përdorur edhe për borxhe.
Ndërkohë për vitin 2021 dhe 2022 që është buxheti afatmesëm mendohet që të kalojnë 450 milion lekë të vjetër. Tek synimet e vendosura në buxhetin e Vllaznisë për këtë sezon në të cilin jemi kërkohet ndërtimi i një ekipi konkurues për Kupat e Europës, objektiv i cili duket i vështirë për t’u arritur. Ndryshe nga ky sezon për 2020-2021 që i bie të jetë sezoni i ardhshëm i vetmi objektiv i vendosur është fuqizimi i një ekipi cilësor për të qëndruar në Superligë.
Për herë të parë Vllaznia tregohet me këmbë në tokë duke kërkuar vetëm qëndrimin në Superligë për sezonin e ardhshëm ndryshe nga sa ka ndodhur deri më tani që nga koha kur klubi menaxhohet nga bashkia teksa për çdo vit objektiv vendosej Kupat e Europës, gjë e cila nuk është arritur asnjëherë në këto vite.
Në buxhetin e 2020-ës thuhet se po vazhdohet me procesin e privatizimit të Vllaznisë, i nisur që në 2017-ën por në fakt privatizimi është ndaluar dhe nuk ka hapa të mëtejshëm për ta përfunduar këtë proces të tejzgjatur.