Ende çështja e Berat Ahmetit, futbollisti që pati probleme me disiplinën në skuadrën e Vllaznisë pak ditë më parë nuk ka marrë një zgjidhje përfundimtare.

Lojtari për momentin nuk po stërvitet me Vllazninë sepse nuk është lejuar nga trajneri Armando Cungu. Kosovarit i është thënë që të stërvitet me Vllazninë B gjë të cilën nuk e ka pranuar dhe kjo ka bërë që futbollisti të ndëshkohet nga trajneri i tij. Pritej që krerët e klubit të mblidheshin për të gjetur një zgjidhje për çështjen në fjalë por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Burime pranë drejtuesve të Vllaznisë bëjnë me dije se rasti në fjalë do të trajtohet me kujdes për shumë arsye të ndryshme. Në këtë mënyrë do të jetë një vendim i dytë që do të vendos përfundimisht mbi të ardhmen e futbollistit Ahmeti me klubin kuqeblu. Nga sa mësohet deri më tani kosovari nuk ka shfaqur asnjëherë probleme me anën disiplinore në ekip. Po ashtu gjatë janarit klubi ka vendosur që t’i përgjysmojë kontratën që ka përsa i përket anës monetare, gjë të cilën lojtari e ka pranuar me qetësi. Klubi Vllaznia ndryshe nga më parë kërkon që të ruaj edhe imazhin në raste të tilla ndaj edhe me futbollistin Ahmeti vendimi do të jetë i matur. Ende nuk ka informacion nëse do të jetë një vendim drastik për ta përjashtuar apo mes tij drejtuesve të Vllaznisë dhe trajnerin Armando Cungu do të gjendet rruga e mirëkuptimit për të sheshuar këtë mosmarrëveshje mes palëve dhe për ta rikthyer Ahmetin në gjirin e ekipit. Ahmeti në ndeshjet e fundit të Vllaznisë nuk ka qenë në planet e stafit teknik ndaj edhe nëse qëndron kësaj radhe në klub me shumë mundësi në merkaton e verës kosovari mund të kërkojë një ekip tjetër.

Artikulli paraprakTRANSPORTI URBAN, BSPSH: PËRGJEGJËSE BASHKIA SHKODËR
Artikulli tjetërSEZONI TURISTIK, LLAZANI: FUSHATË KONTROLLI NGA THETHI NË VELIPOJË