Merkatoja e verës për Vllazninë mund të quhet e dështuar. Një gjë e tillë mund të thuhet fare mirë, duke qenë se pranë ekipit nuk ka pasur asnjë afrim cilësor, që të paktën deri tani ka bërë diferencën. Së fundmi, klubi ka mbyllur marrëveshjet e largimit edhe me dy futbollistë që deri tani asnjëri nga trajnerët, as Migen Memelli dhe as Qatip Osmani, nuk i projektuan për formacionin e parë, teksa bëhet fjalë pikërisht për dyshen e maqedonasve Darko Dodev dhe Konstantin Cheshmedjiev.
Dy futbollistë që luajnë në repartet e sulmit dhe mbrojtjes e që tek Vllaznia u shikuan si afrime me bujë, duke qenë madje të projektuar për të luajtur në fillim të sezonit edhe si futbollistë titullarë, por një gjë e tillë nuk ndodhi pothuajse asnjëherë. Ata duket se nuk kanë bindur stafin teknik të kësaj periudhe për t’i mbajtur më gjatë dhe u vendos që bashkëpunimi me to, të mbyllej pa u hapur zyrtarisht merkatoja. Normalisht, prishja e kontratës në këtë moment ka kostot e veta, pasi si mbrojtësi, ashtu edhe sulmuesi maqedonas, kishin kontrata afatgjata me Vllazninë, me Dodev që firmosi për tre vite, ndërsa Cheshmedjiev për dy.
Në fakt, në fillimin e këtij sezoni, çdokush e dëshironte Vllazninë të ishte ndryshe, me opinionin sportiv që kishte edhe dyshimet e tij për ekipin që po ndërtohej dhe një gjë e tillë po konstatohet edhe tani, me dy futbollistët e parë që u larguan pa ardhur merkatoja e janarit. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar as largimi i Bujar Hajdarit pa nisur sezoni, që rezultoi një tjetër dështim tek Vllaznia apo edhe futbollistë të tjerë tek kjo skuadër të afruar në verë që po ngrohin stolin çdo ditë e më tepër. Kjo merkato jo e suksesshme e klubit kuqeblu duket se ka mërzitur jo pak deri tani edhe opinionin sportiv dhe tifozët shkodranë, që janë ftohur së tepërmi me ekipin.
Megjithatë, në vazhdim mbetet për t’u parë edhe se çfarë do të bëjë drejtori i ri sportiv, Tefik Osmani, i cili duket se e ka nisur me “dorë të hekurt” punën e tij tek kuqeblutë. Osmani vjen pas një eksperience pozitive me Tiranën si drejtor sportiv, ku u shpall madje edhe kampion me këtë ekip, por megjithatë tashmë në Shkodër, gjërat janë krejt ndryshe dhe i gjithë opinioni sportiv i ka shpresat tek ai se mund të bëjë ndryshime drastike në aspektin pozitiv në këtë skuadër.