Fillimi i javës nuk ka qenë aspak i qetë në ekipin e Vllaznisë.

Barazimi 1-1 me Korabin në fundjavë me të drejtë ka irrituar trajnerin e kuqebluve Armando Cungu dhe pjesën tjetër të stafit teknik. Ky hap fals për shkodranët është i patolerueshëm gjë e cila ka bërë që trajneri Cungu të jetë i ashpër në analizën e zhvilluar me lojtarët. Nga sa mësohet, burime pranë Vllaznisë bëjnë me dije se në analizën që bëhet zakonisht gjatë të hënes ka patur tone të ngritura ndërsa ka zgjatur për rreth një orë mes trajnerit dhe futbollistëve kuqeblu pas atij barazimi të papritur.

Ai që ka qenë i revoltuar në këtë mes është trajneri Cungu i cili nuk ka arritur dot që të kapërdijë barazimin e Vllaznisë me Korabin, skuadër kjo që mban vendin e fundit në renditje. Në këtë mënyrë tekniku Cungu i ka kërkuar futbollistëve që të jenë më të përgjegjshëm dhe të japin maksimumin e tyre në çdo ndeshje dhe të mos tolerojnë ndaj asnjë kundërshtari sepse më pas vijnë rezultate të tilla të papritura. Kjo mungesë grinte e Vllaznisë në fushën e lojës ka ndodhur në dy takimet e fundit, humbjen me Flamurtarin në Vlorë dhe barazimin me Korabin në Shkodër.

Trajneri Cungu ka kërkuar nga lojtarët që të ndryshojnë këtë situatë që në ndeshjen e radhës që do të jetë me Skenderbeun, sfidë që do luhet në Korçë. Pavarësisht se Vllaznia përballet me një prej ekipeve pretendente kërkohet një rezultat pozitiv sepse kuqeblutë kanë ende shanse për të kapur vendin e katërt në renditje si e vetmja mundësi për të dalë në Kupat e Europës në rast se korçarët fitojnë Kupën e Republikës.

Artikulli paraprakVARREZAT E DËSHMORËVE, DJEGIA VAZHDON…!
Artikulli tjetërNISHANI: RAMA E BASHA TË ULEN DHE TË GJEJNË ZGJIDHJE, OFROJ MBËSHTETJE