Dëmtimet janë shndërruar në një “makth” për Vllazninë këtë sezon, ashtu siç ndodhi edhe në atë të kaluarin. Edhe në ndeshjen e fundit ndaj Elbasanit, shkodranët kishin disa mungesa të rëndësishme titullarësh, duke nisur nga mbrojtësit Gurishta e Stojanoviç, ndërsa në sulm mungonin sërish Gruda dhe Matouti. Së fundmi, nga dëmtimi është kthyer Krymi në mesfushë, por nga ana tjetër në këtë repart, Klinti Qato është futbollisti që ka shfaqur shqetësimet e rradhës për stafin teknik të Vllaznisë. Mesfushori e nisi si titullar ndeshjen ndaj Elbasanit, por u detyrua të largohej nga fusha që në minutën e 12-të, pasi pësoi një tërheqje muskulore. 26-vjeçari e kishte të pamundur ta vazhdonte ndeshjen, duke iu shtuar në këtë mënyrë listës së gjatë të dëmtimeve te Vllaznia, ku aktualisht mungojnë edhe Juriç, Stojanoviç, Gurishta, Gruda dhe Matouti.

Nga ekzaminimet e para duket se dëmtimi i Qatos nuk është aq i rëndë dhe mbetet për t’u parë nëse do të jetë në dispozicion për duelin me Laçin të shtunën, por gjasat janë që jo. Ndërkohë, në ndeshjet e ardhshme, të sigurta do të jenë edhe mungesat e Gurishtës dhe Grudës. Të dy futbollistët e kanë mbyllur këtë vit kalendarik dhe pritet të kthehen në vitin e ardhshëm. Gurishta u dëmtua para fillimit të ndeshjes me Bylisin në Ballsh, ndërsa Gruda ka probleme me gjurin ku ai është operuar.

Ndërkohë, reparti i mbrojtjes duket më i “godituri” te Vllaznia. Kjo pasi edhe Stojanoviç dhe Juriç kanë ndier shqetësime fizike të vazhdueshme. Sa i takon gjendjes së Stojanoviç, mbrojtësi serb po shfaq probleme të përsëritura dëmtimi nga java në javë dhe nga sa mësohet, as ai e as Juriç nuk do të jenë të gatshëm për duelin e së shtunës kundër Laçit. Me të vërtetë “dhimbje koke” për trajnerin Brdariç në këto momente, teksa trajneri gjerman jo vetëm që duhet të vijojë të marrë rezultate pozitive në krye të ekipit të Vllaznisë, por duhet të gjejë edhe formacionin ideal të skuadrës, pavarësisht mungesave të shumta që ka në këtë fund-viti. Në fakt, asnjëherë këtë sezon skuadra e Vllaznisë nuk ka qenë e plotë, pasi këto dëmtime janë shndërruar në “makth” për trajnerin Thomas Brdariç dhe kuqeblutë.

Artikulli paraprakFESTIVALI MBARËKOMBËTAR I HUMORIT
Artikulli tjetërÇIFTI I TË MOSHUARVE KËRKOJNË NDIHMË