Rezultati 2-0, i arritur në fund të takimit të djeshëm të Kupës së Shqipërisë, ndaj Kamzës, sigurisht që i ka gëzuar të gjithë në kampin shkodran, sepse është një rezultat që thuajse u ka siguruar atyre kalimin në çerekfinale.

Megjithatë, kjo fitore dhe kjo sfidë kanë lënë edhe disa pasoja mbrapa. Dy prej futbollistëve të Vllaznisë janë detyruar ta lënë fushën e lojës të dëmtuar. Bëhet fjalë për sulmuesin Brunild Pepa dhe mesfushorin Ambroz Kapaklija. Sidomos dëmtimi i këtij të fundit ka futur në panik stafin mjekësor të kuqebluve, por edhe atë teknik. Kjo, ngaqë lojtari vinte pas një operacioni të kryer muaj më parë në ligamentet e gjurit dhe dëmtimi i djeshëm ka qenë sërish në të njëjtin vend. Në pamje të pare është dukur një dëmtim shumë serioz, megjithatë, me kalimin e minutave gjendja është qetësuar disi, sepse reagimi i lojtarit ka qenë më i mirë. Do të kryhen të gjitha ekzaminimet e duhura për të parë edhe shkallën e dëmtimit, duke shpresuar që të mos jetë diçka serioze, sepse do të ishte fatale për Kapaklinë, mesfushorin 20-vjeçar të Vllaznisë. Edhe gjendja e Pepës duhet parë , sepse ai u largua nga loja që në pjesën e parë. Në kampin shkodran kohët e fundit ka patur jo pak probleme me dëmtimet. Bardulla, fillimisht, u pasua nga i riu Hebaj, i dëmtuar në stërvitje, ndërkohë që në ndeshjen ndaj Teutës u largua nga fusha e lojës edhe Kalaja. Atyre tashmë u shtohen edhe Pepa e Kapaklija dhe kjo situatë natyrisht që nuk është e mirë për stafin teknik, sepse i zvogëlohet numri i futbollistëve, që mund të kenë në dispozicion për ndeshjet e ardhshme dhe kryesisht sfidën e kampionatit që do të jetë ndaj Tiranës këtë javë në transfertë.

Artikulli paraprakITALI, TËRMETI NDËRPRET NDESHJEN NË PAK MOMENTE
Artikulli tjetërANIJA KUFITARE GREKE KERCENON DY PESHKAREXHAT SHQIPTARE