Vllaznia do të ketë këtë fundjavë një prej ndeshjeve vendimtare në garën për mbijetesë në transfertë ndaj Teutës dhe kuqeblutë i tremben shumë gjykimit.
Një gjë e tillë nuk është pranuar zyrtarisht nga asnjë prej zyrtarëve të klubit, por javën e shkuar në zyrat e FSHF-së, ka mbërritur një kërkesë e shkodranëve që në këtë ndeshje të ketë arbitra të huaj.
Një praktikë e tillë është ndjekur nga shumë klube në të kaluarën, madje edhe Vllaznia në ndeshjen e fundit të sezonit të shkuar ndaj Tiranës, ku kishte arbitra italianë. Por, për rastin në fjalë, kuqeblutë kanë marrë një përgjigje pozitive nga Federata Shqiptare e Futbollit, vetëm se ka një problem financiar.
Të gjithë klubet në vendin tonë që për ndeshje te veçanta kërkojnë arbitër të huaj duhet të paguajnë 10 mijë euro. Kështu që për të realizuar dëshirën e tyre duhet që ata të paguajnë këtë shifër e cila nevojitet për biletat e arbitrave akomodimin dhe pagesën e tyre financiare.
Nuk dihet nëse drejtuesit e Vllaznisë do të pranojnë një gjë të tillë. Ata shpresonin që të kishin një arbitër të huaj pa shumë shpenzime, duke shfrytëzuar marrëveshjet që FSHF ka me tre vende të huaja për shkëmbimin e arbitrave, por një gjë e tillë duket e pamundur.
Megjithatë për trajnerin Gjoka një çështje e tillë nuk ka shumë rëndësi, pasi ai po stërvit skuadrën për të marrë maksimumin në stadiumin “Niko Dovana”. Ai do të ketë të gatshëm Malotën dhe Bardullën që janë rikthyer me ekipin.
Vllaznia është e rrezikuar për mbijetesën në Kategorinë Superiore, pasi ndodhet vetëm tre pikë nga vendi i nëntë, që mbahet nga Teuta dhe diferenca është vetëm tre pikë.
Kjo do të thotë se në takimin me durrsakët, kuqeblutë do të luajnë edhe për barazimin që do t’i jepte mundësi të ruante të njëjtën distancë me zonën e ftohtë.