Dy prej futbollistëve që kanë qenë në provë te Vllaznia ditët e fundit, pikërisht kosovari Kreshnik Lushtaku dhe kroati Tomislav Iviçiç, në miqësoren e luajtur dje ndaj Promo Team, kanë dhënë maksimumin e mundshëm për të bindur stafin teknik të kuqebluve. Megjithatë, nga të dy, vetëm njëri mund të qëndrojë sërish në radhët e skuadrës shkodrane.
Bëhet fjalë për mesfushorin Lushtaku, i cili ka arritur të bindë deri diku trajnerin Zmijani, por ende jo plotësisht dhe, për këtë arsye, do të vazhdojë provën edhe për disa ditë të tjera. Krejt ndryshe situata për sulmuesin Iviçiç. Nëse në seancat e para stërvitore ai ka treguar formë të mirë, nuk ka ndodhur kështu në takimin miqësor dhe për këtë arsye stafi ka vendosur ta largojë, duke mos i dhënë më asnjë shans për të vazhduar provën.Kjo është situata aktuale në kampin shkodran sa i takon merkatos, megjithatë drejtues të klubit bëjnë të ditur se janë në bisedime edhe me 2-3 futbollistë të tjerë të kampionatit shqiptar dhe ndoshta deri në fund të kësaj jave mund të merret një përgjigje përfundimtare nga ana e tyre. Administratori Kalamishi ka deklaruar here pas here se merkatoja nuk do të mbyllet këtu dhe për këtë arsye duhet të presim deri më 31 gusht, sepse te Vllaznia mund të ketë sërish surpriza në marrjen e futbollistëve cilësorë. Ndërkohë që reparti i sulmit mbetet një ndër hallkat më problematikë pasi akoma Vllaznia nuk ka gjetur sulmuesit e duhur për të përballuar sezoni. Kjo pasi Paviçeviç për disa javë nuk do të mund të aktivizohet e përkatësisht klubi do të duhet ti besojë të rinjëve, Kabuni e Çinari.