Vllaznia ka nisur prej disa ditësh punën me intensitet për ndeshjet kualifikuese të Conference League. Gjatë kësaj periudhe një-mujore, kuqeblutë kanë planifikuar edhe zhvillimin e plot pesë ndeshjeve miqësore, dy prej të cilave do t’i luajnë në Shkodër. E para do të zhvillohet këtë të shtunë me ekipin e njohur malazez, Buduçnost, i cili poashtu merr pjesë në Conference League. Ky takim do të luhet ditën e shtunë në ora 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Ndërkohë, miqësorja e dytë do të zhvillohet të mërkurën që vjen po në Shkodër, teksa kundërshtar do të jetë një tjetër ekip i kampionatit malazez dhe bëhet fjalë për shqiptarët e Deçiç, që vetëm pak ditë më parë u shpallën edhe kampion në shtetin fqinj.
Tashmë, mbetet për t’u mësuar vetëm ora se kur do të luhet kjo sfidë. Ndërkohë, nga ana tjetër, në kampin shkodran gjatë kësaj periudhe, ka patur afrime, largime dhe rinovime, teksa zyrtarizimi i fundit ishte i Erdenis Gurishtës. Megjithatë, me shumë mundësi, ardhja e Gurishtës nuk do të jetë afrimi i fundit, sepse drejtuesit e klubit po shohin edhe për ndonjë ospion tjetër në merkato. Ndërkohë, me largimin e Esin Hakajt, te kuqeblutë krahu i majtë është vakant, teksa emri që po lakohet për një afrim të mundshëm është ish-mbrojtësi i Kombëtares, Hysen Memolla. Megjithatë, gjithçka mbetet për t’u parë dhe për t’u zbuluar në ditët në vijim.