Drejtuesit e klubit Vllaznia kanë vënë rregulla të forta për lojtraët e ekipit. Ato kanë kërkuar që futbollistët e skuadrës të jenë larg presionit dhe larg deklarimeve.
Për të mos patur edhe rrjedhje të informacione të tjera drejtuesit e klubit kanë vendosur masa të rrepta. Një gjë të tillë mësohet se ia kanë deklaruar vetë lojtarëve. Çdo futbollist do të gjobitet me gjysmën e rrogës nëse do të merret vesht se prej tyre ka patur informacion për mediat. Ndërsa të gjithë lojtarët që do të flasin për mediat pa marrë më para leje në klub do të penalizohen me një rrogë të plotë mujore. Këto masa janë kërkuar nga vetë drejtuesit teknik të ekipit me qëllimin që kuqeblutë të jenë larg deklaratave dhe të fokusohen vetëm tek fusha e lojës. Kështu as rezultatet pozitive që ka koleksionuar ekipi i Vllaznisë në katër takimet e para nuk kanë bërë punë në këtë aspekt. Stafi teknik edhe pas ndeshjes të fundit ka qenë kritik me deklarimet e bëra nga ana disa lojtarëve. Është kërkuar që të mbahen larg euforisë pasi e kanë cilësuar si një nga pikat më të dobëta të ekipit dhe kjo eufori ka qenë evidente sidomos në takimin e fundit me Korabin ku Vllaznia nuk mori më shumë se një barazim. Në këtë fillim kampionati është hera e para që drejtuesit kërkojnë t’i “mbyllin” gojën lojtarëve. Në sezonet e shkuara një gjë e tillë ka qenë e shpeshtë pasi mungesa e rezultateve sillte një gjë të tillë. Përveç kësaj discipline të hekurt, Vllaznia ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Skendërbeut. Stafi teknik ka zhvilluar një analizë të fortë duke kërkuar llogari për barazimin ndaj Korabit dhe lojën e dobët. Në shenjestër kanë qenë të gjithë lojtarët dhe tekniku Cungu duke mos kursyer askend ka kërkuar që kjo situatë të ndryshojë. Edhe ndeshja e radhës është ndaj Skenderbeut në transfertë, kërkohet një rezultat pozitiv.