Për të ardhur keq. Vllaznia në futboll për femra ishte pranë një barazimi të artë në sfidën e dytë në Champions League, kundër PAOK-ut, por u mund 1-0 në minutën e 92-të.

Në ndeshjen e parë, kundër Sarajevës vendase, Vllaznia fitoi në të njëjtën mënyrë, duke shënuar në minutën e 92-të, me Megi Doçin. Koincidencë e çuditshme, sot humbja erdhi në të njëjtën minutë, nga një gol me 11-metërsh. Një sfidë e luajtur mjaft mirë nga Vllaznia, që përtej humbjes me ekipin më të mirë në grup, tregoi se ka bërë hapa gjigantë përpara.

Një gol i pësuar në dy ndeshje, një paraqitje dinjitoze ndaj një PAOK-u që sulmoi gjatë, por që nuk ishte aq superiore sa mendohej dhe humbja është vërtet e pafat. Megjithatë, Vllaznia ka gjithçka në dorën e vet ende, sepse të hënën pasdite do të ndeshet me skuadren e Bettembourg të Luksemburgut. Përballë rivalit më të dobët në grup duhet patjetër fitore, mundësisht me shumë gola diferencë.

Në ndeshjen e ardhshme natyrisht që vjazat e Vllaznisë synojnë fitoren e thellë për të pasur një golavarazh pozitiv për vendin e parë në grup, duke shpresuar edhe tek një humbje e PAOK ndaj ekipit vendas të Sarajevos. Nëse kjo ndodh, me shumë gjasa Vllaznia renditet e dyta dhe mund të kualifikohet si një ndër të dytat më të mira, ndaj asgjë nuk ka mbaruar.

Artikulli paraprakINVESTIMET NË ARSIM NË VAU DEJËS
Artikulli tjetërANULLOHET MIQËSORJA E VLLAZNISË NË BERANE