Vllaznia e femrave do të marrë pjesë në një turne futsalle në Itali, që do të zhvillohet në datat 13 dhe 14-dhjetor. Kjo ftesë ka ardhur prej disa kohësh për klubin kuqeblu dhe përveç Vllaznisë, në këtë turne janë ftuar edhe tre ekipe të tjera nga vende të ndryshme të Europës, siç janë ukrainaset e Chornomorets Odesa, zviceranet e Zyrihut dhe letonezet e Riga. Presidenti i Vllaznisë, Lazër Matija, foli më tepër për pjesëmarrjen e ekipit kuqeblu në këtë turne ndërkombëtar.
Për t’iu përshtatur aktivitetit në fjalë, presidenti Matija ka marrë në ndihmë edhe Alban Nezirin, i cili ka një përvojë të madhe në futsall, duke qenë se ka drejtuar për disa vite me rradhë edhe ekipin Kombëtar.
Për Vllazninë, kjo është pjesëmarrja e parë në një turne të tillë, siç është ky i futsallës, teksa vajzat kuqeblu shpresojnë të paraqiten sa më mirë në këtë aktivitet.