Vllaznia e futbollit të femrave, që prej së hënës, ka nisur përgatitjet për ndeshjet e Champions League, të cilat do të zhvillohen në fillim të muajit shtator në Gjeorgji. Vajzat shkodrane do të kenë si objektiv vendin e parë në grup dhe kualifikimin në turin e dytë të këtij kompeticioni të rëndësishëm europian. Ndërkohë së fundmi, skuadra e Vllaznisë ka pësuar disa ndryshime me disa futbolliste që janë larguar, por edhe me të tjera që kanë ardhur dhe pritet të vijnë në ditët e ardhshme. Në fakt, vetë drejtuesit e këtij ekipi ende nuk i kanë bërë të ditur emrat e futbollisteve që do të jenë pjesë e tyre, por kjo gjë me siguri që do të ndodhë në ditët e ardhshme.

Nga sa mësohet, deri më tani me ekipin janë bashkuar katër futbolliste të ardhura nga vendet e ndryshme. Ndërkohë që, drejtuesit e Vllaznisë janë në pritje edhe të tre amerikaneve, të cilave u janë prerë biletat dhe brenda pak ditësh do të jenë në Shkodër. Në fakt, presidenti Lazër Matija po mundohet të tregohet shumë i kujdesshëm në përzgjedhjen e tyre, për të mos përsëritur gabimet e vitit të kaluar kur një pjesë dërrmuese e afrimeve nuk rezultuan ato të duhurat. Ndërkohë, shorti i Champions League e ka vendosur ekipin kampion të Shqipërisë në grupin 2 të këtij kompeticioni dhe në gjysmëfinale, Vllaznia do të ndeshet me skuadrën kampione të Gjeorgjisë, teksa ky duel do të luhet me datë 4-shtator.

Artikulli paraprakBASHKIA MIRDITË NDERON HAKIK VATËN
Artikulli tjetërNJË PIKË KTHESE QË MUND TË SJELLË NDRYSHIME NË JETË…ÇFARË THONË YJET PËR JU SOT