Pas shumë diskutimeve të shumta se Safet Gjici do të marrë presidencën e Vllaznisë dhe pritjes së përgjigjes nga Bashkia e Shkodrës, Star Plus ka arritur të lëshojë dritë ndaj fakteve të vërteta dhe asaj që pritet të ndodhë. Përveç interesimit tashmë publik dhe në media të Gjicit dhe kërksës së vazhdueshme të tifozëve që kuqeblutë ti kalojnë një biznesmeni, të pakten deri në janar nuk do të ketë asnjë veprim konkret.

Sipas burimeve të sigurta të Star Plus, strategjia e Bashkisë së Shkodrës është për të respektuar qoftë ligjin Shqiptar por njëkohësisht për të vlerësuar dhe biznesmenët shkodranë të cilët kanë kontribuar ndër vite për këtë ekip apo ato që dëshirojnë të kontribuojnë në të ardhmen. Kjo do të thotë që Bashkia e Shkodrës pasi të vendosë për të hapur rrugën e bashkëpunimit me biznesmenët e interesuar, bisedimet e para do të bëhen me biznesmenë shkodranë. Pra fillimisht Vllaznia do të kërkohet të privatizohet apo ti lihet në administrim një shkodrani. Kjo sigurisht është një vlerësim për ato që ndër vite kanë vendosur gurin e tyre në historinë e këtij klubi. Por nga ana e tjetër kjo lë të kuptohet që Vllazninë e bëjnë shkodranët e jo “Jabanxhinjtë”. Në qoftëse nuk do të ketë një marrëveshje me shkodranët atëherë do të hapen diskutimet me biznesmenë të tjerë të interësuar qoftë nga rrethet e tjera të Shqipërisë apo dhe ato të huaj. Të pakten këto janë versionet e para në bazë të disa burimeve që ka siguruar Star Plus. Prandaj mundësia që Safet Gjici të marrë kuqeblutë të pakten deri në janar është zero. Përsa i përket qëndrimit zyrtar të Bashkisë së Shkodrës e konkretisht të kryebashkiakes Voltana Ademi, asgjë nuk do të ndodhë deri në konstituimin e Këshillit të ri të Bashkisë. Ky është një tjetër konfirmim që ka siguruar Star Plus. Pra tifozët do të duhet të presin zyrtarimin e mandatit të ri të Ademit për të parë më pas qëndrimin zyrtar të saj. Nga po të njëjtat burime konfirmohet se Bashkia e Shkodrës do të bazohet në ligjin Shqiptar në lidhje me ecurinë e kuqebluve. Aktualisht Vllaznia është shoqëri aksionere dhe deri më tani gjatë këtyre viteve është parë vështirësia e gjetjes së një bashkëpunimi me biznesmenë privatë për shkak të pamundësisë ligjore për ti kënaqur të dy palët. Të paktën këto kanë qenë justifikimet e ish-drejtuesve të Bashkisë. Se çfarë do të bëhet pas konstituimit të këshillit mbetet për tu parë. Por ajo që deri më tani duket e sigurtë është se Vllaznia të pakten deri në janar do të jetë nën urdhërat e pushtetit vendor. A duhet të kemi veprime konkrete në të mirë të Vllaznisë dhe sa më shpejt të jetë e mundur, kjo sigurisht që duhet. A duhet që Vllaznia të kalojë drejt privatizimit, kjo është një domosdoshmëri për të mos e shkatërruar më shumë këtë ekip. Tashmë duhet shpresuar që kjo kohë të mos jetë shumë e gjatë, siç u bë në katër vitet e kaluara.

Artikulli paraprakPËRMBYTJE NË MAQEDONI, REGJISTROHEN 5 VIKTIMA
Artikulli tjetërBOKS, GJONI OPTIMIST PËR PRESIDENTIN KALIVOPULLI