Kampionati kombëtar i volejbollit të femrave ka nisur jo mirë për Vllazninë, e cila ka humbur tre ndeshje dhe ka fituar vetëm një ndaj Barletit. Rezultate këto që tregojnë se ekipi shkodran do ta ketë shumë të vështirë në sezonin e ri për të arritur synimet që ato kanë. Megjithatë, drejtuesit e Vllaznisë në volejboll për femra kanë lëvizur, duke bërë së fundmi një përforcim të rëndësishëm. Nga sa mësohet nga burime të “Star Plus”, Shoqata e Volejbollit Vllaznia ka arritur akordin me një volejbolliste amerikane dhe bëhet fjalë për Ammaarah Williams. 28-vjeçarja është 1.83-metra e gjatë dhe luan në rolin e shooteres anësore. Ardhja e kësaj volejbollisteje pritet të jetë një përforcim i rëndësishëm për trajneren Nora Deda. Williams, në sezonet e kaluara, ka luajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tashmë do të nisë një eksperiencë të re në Shqipëri me Vllazninë.
Maringlen ZHIVANI