Pasditen e së mërkurës, Vllaznia do të zhvillojë ndeshjen e saj të katërt miqësore në kuadrin e përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik. Përballë saj këtë herë do të jetë ekipi i Kamzës. Kjo do të jetë ndeshja e parë që kuqeblutë do të zhvillojnë në Shkodër, pikërisht në fushën sportive të Shtojit.

Ajo do të nisë në orën 18.00 dhe pritet të ndiqet me interes nga tifozët shkodranë, që në fakt kanë qenë të shqetësuar jo pak për rezultatet negative, që skuadra ka arritur në tri miqësoret e luajtura deri më tani, miqësore këto që i ka humbur. Ndërkohë, nga pasditja e djeshme me skuadrën është bashkuar në stërvitje edhe mbrojtësi fierak, Rudin Nako. Ai ka mbyllur sezonin e fundit me Apoloninë dhe do të qëndrojë disa ditë në provë te Vllaznia, me idenë për të bindur stafin teknik të saj. Miqësorja ndaj Kamzës mund të jetë testi serioz për këtë futbollist, por edhe ndonjë tjetër, që vazhdojnë të jenë në provë te kuqeblutë. Situata te kjo skuadër nuk është aspak e mirë. Disa nga lojtarët që stafi teknik ka përzgjedhur për t’i patur në skuadër ende nuk po bindin dhe kjo natyrisht që ka krijuar problemet e para, probleme këto të reflektuara edhe në miqësoret e zhvilluara deri më tani. Megjithatë, ka shpresë për ndryshim të situatës dhe kjo duhet parë që në takimin e nesërm ndaj Kamzës.

Artikulli paraprakADRIAN PACI WORKSHOP ME STUDENTËT E SKULPTURËS
Artikulli tjetërSEKUESTROHEN ARSENAL ARMËSH NË MALËSI E MADHE