KONTRATA MES BASHKISË E “GEA SPORT” S’KA MARRË FORMË LIGJORE .

E ardhmja e skuadrës së Vllaznisë është akoma në ajër dhe e paqartë për vazhdimësinë. Shkak për këtë është bërë mungesa e formës ligjore të kontratës që ka nënshkruar kompania “Gea Sport” me Bashkinë e Shkodrës pasi akoma nuk ka marrë miratimin nga institucioni i Prefektit të Qarkut të Shkodrës. Kur pritej që në Shkodër të vinin stafi teknik i skuadrës shkodrane nga zvicra e për të filluar stërvitjen, ajo duket se nuk do të ndodhë të paktën dhe për këtë javë. Star Plus pasi ka kontakuar me administratorin e klubit Ardian Grabova për të mësuar më shumë rreth zhvillimeve të fundit, ai është shprehur se situata mbetet e paqartë për shkak se akoma kompania që ai përfaqëson nuk e disponon kontratën në formë ligjore. Ndaj dhe stërvitja apo ardhja e stafit teknik ka mbetur pezull, pasi drejtuesit e kompanisë zviceriane justifikohen me faktin se ligjërisht nuk janë ata që administrojnë klubin, pasi kontrata nuk ka hyrë në fuqi. Ndërkohë që ajo kontratë e nënshkruar në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë së Shkodrës është në zyrat e prefektit për shqyrtim. Në bazë të ligjit shqiptar, një kontratë e miratuar në Këshillin e Bashkisë, pra të institucionit vendor duhet të kalojë për miratim dhe nga Prefekti në mënyrë që të marrë formën e duhur ligjore. Per te sqaruar dhe anen ligjore te funksionit, baze te ligjit   Nr. 8927, për Prefektin neni  14 pika 2 pika b thuhet :
b) Për çdo akt të regjistruar në zyrën e protokollit, prefekti detyrohet të shprehet për ligjshmërinë e tij brenda 10 ditëve nga data e regjistrimit.

Nderkohe ne Piken i sqarohen te drejtat qe ka vete prefekti per te marre nje vendim.

i)    Në rastet kur vëren papajtueshmëri ligjore të aktit, prefektit i lind e drejta t’ia kthejë atë organit përkatës të qeverisjes vendore, duke argumentuar shkeljet e vërejtura. Në këtë rast, organi i qeverisjes vendore rishqyrton aktin.

Nisur nga kjo e drejtë ligjore, Prefekti i Qarkut të Shkodrës, Paulin Radovani i pyetur për kontratën që i është depozituar në zyrat e tij, ka theksuar se është në shqyrtim të materialit. Sipas tij, ai ka vërejtur dy pika që duhet të plotësohën  dhe që mund të kthejnë për shqyrtim kontratën. E para është krijimi i një depozite për vlerën financiare që do të depozitohet. Ndërkohë që sipas prefektit do të shtohet dhe një pikë tjetër për detyrimet që do të kenë të dy palët në rast se prishet kontrata. Sipas prefektit Radovani, ai ka thënë tekstualisht se do të marrë një vendim në të mirë të Vlllaznisë. Përsa i përket afatit, prefekti ka thënë se nga dita e hënë ose e martë do të marrë vendimin. Ndërkohë mbetet për tu parë në qoftëse kthehet për shqyrtim apo jo. Kjo situatë e krijuar në kampin shkodran, tashmë  krijon më të vërtetë kolaps total për të ardhmen e ekipit. Drejtuesit e Gea Sport kanë thënë se nuk do të ndërmarrin asnjë veprim pa patur kontratën ligjore të firmosur. Nga ana e tjetër Vllaznia vonohet shumë për sezonin e ri futbollistik. Se çfarë do të bëhet me Vllazninë askush nuk jep përgjigjë ku të gjithë duhet të qëndrojnë sërish në pritje.       

Artikulli paraprakNDËRPRITET MIQËSORJA LILLE – MACCABI HAIFA
Artikulli tjetërVIRUS I RI NË FB, KUJDES VIDEOT “CENSORED” ( Video )