Vllaznia ka fituar ndeshjen miqësore të luajtur ndaj Teutës në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. Përballja e parashikuar të luhej në Durrës u zhvendos në Shkodër. Kuqeblutë zhvilluan një lojë më të mirë në pjesën e parë ku u realizua edhe goli që vulosi fitoren.

Shkodranët patën disa raste në pjesën e parë por nuk i shfrytëzuan siç duhet. Duhet të vijë minuta e 45 kur braziliani Viktor Da Silva realizon një gol të bukur me kokë duke i dhënë avantazhin ekipit të tij. Pjesa e parë mbyllet me epërsinë e vendasve. Në 45 minutat e dyta Vllaznia bën shumë ndryshime në fushën e lojës duke i dhënë mundësinë pothuajse të gjithë lojtarëve që të aktivizohen për të parë gjendjen e tyre.

Në pjesën e dytë ritmi i lojës bie ndjeshëm për të dy ekipet. Teuta nga ana e saj ka luajtur jo me 100%-shin e saj për shkak se pas një jave do të luaj ndeshjen e turit të dytë të Europa League. Vllaznia krijoi edhe disa raste të tjera në pjesën e dytë por sërish problem mbetet finalizimi nga një sulmues goli. Shkodranët vijojnë me mungesë të një sulmuesi goli për shkak se ende nuk e kanë gjetur në këtë merkato.

Në fund takimi miqësor mes Vllaznisë dhe Teutës u mbyll me fitoren e kuqebluve 1-0. Kjo është miqësorja e 6 e Vllaznisë me 4 fitore, një barazim dhe një humbje. Kampionati që pritej të fillonte me 12 shtator është shtyrë pa afat për shkak se klubet kërkojnë plotësimin e disa kërkesave në favor të tyre në ligjin e ndryshuar për sportin.

Artikulli paraprakVAU DEJËS, THEMELOHET AKADEMIA E FUTBOLLIT “BASANIA”
Artikulli tjetërPLAS SHERRI, PLAGOSEN ME THIKA 4 PERSONA NË NJË LOKAL, 3 PREJ TYRE NGA NJË FAMILJE