Skuadra e Vllaznisë ka fituar me rezultatin e thellë 12-1 testin e kontrollit ndaj ekipit U-19 të Akademisë Vllaznia
, ndeshje kjo e zhvilluar pasditen e së shtunës në Ulqin. Të detyruar nga pamundësia për të siguruar një miqësore me kundërshtarë të barabartë apo të përafërt, drejtuesit e skuadrës organizuan këtë ndeshje kontrolli në mënyrë që kuqeblutë të testonin veten. Në fakt, në fushë nuk ka patur shumë rivalitet dhe këtë e tregon edhe rezultati i thellë i ndeshjes. Pjesa e parë është mbyllur në shifrat 5-0 në favor të ekipit të parë, me autorë të golave: Vecaj, Pjeshka, Pepa, Shtubina dhe Gocaj. Duhet thënë se trajneri Armando Cungu ka aktivizuar tre formacione në këtë takim, me secilin prej tyre që ka luajtur nga 30 minuta. Një strategji kjo e Cungut për të testuar të futbollistët në dispozicion. Në pjesën e dytë protagonist për ekipin e parë të Vllaznisë ishte sulmuesi Dibra, që ka shënuar 5 gola, ndërsa dy të tjerët kanë patur për autorë Dycën dhe Krymin. Goli i vetëm për ekipin U-19 është shënuar nga Hoxha një minutë para përfundimit të ndeshjes. Në këtë përballje është aktivizuar edhe mbrojtësi belg Landry Muleno i ardhur për prove te Vllaznia. Nga sa mësohet, lojtari ka treguar një përgatitje të mirë teknike e taktike, por ka shfaqur probleme sa i takon përgatitjes fizike. Kjo si pasojë e aktivizimit të tij të reduktuar dhe jo konstant gjatë muajve të fundit. Nga sa bëhet e ditur, Muleno do të qëndrojë edhe për disa ditë në provë dhe më pas do të vendoset për fatin e tij.