Vllaznia po vijon fazën e saj përgatitore, ku gjatë kësaj kohe po zhvillon edhe ndeshje miqësore për të mbajtur ekipin të freskët fizikisht. Pasditën e djeshme, ekipi shkodran ka zhvilluar një miqësore përballë malazezëve të Otrant në “Loro Boriçi”, e cila ishte një ndeshje e dominuar nga vendasit që u shpërblye me një fitore 2-0. Golat për ekipin kuqeblu u shënuan nga një në secilën pjesë.
Smajli ishte ai që shënoi në pjesën e parë në minutën e 23-të, teksa në të dytën rrugën e rrjetës e gjeti Mala gjashtë minuta para fundit të ndeshjes. Pas kësaj miqësorje, trajneri i Vllaznisë, Migen Memelli tha se sipas tij, skuadra ka ende nevojë për përmirësim.
Sa i takon merkatos, Memelli thotë se po punojnë për të afruar sërish edhe dy futbollistë të tjerë.
I pyetur nëse sulmuesi shqiptaro-maqedonas Bujar Hajdari konsiderohet dështim, trajneri i kuqebluve u shpreh se ai nuk është ambientuar me nivelin e kampionatit shqiptar.
Në vazhdim, Vllaznia do të luajë edhe dy miqësore të tjera ndaj ekipeve të Teutës dhe të Kukësit, të cilat do të zhvillohen që të dyja jashtë Shkodrës.