Në një ndeshje të çmendur plot episode Vllaznia siguroi fitoren e parë në këtë sezon duke mundur 2-1 ekipin pretendent të Kukësit. Një fitore që erdhi në minutën e 6 shtesë dhuroi emocione. Takimi nisi me topin e parë të luajtur nga ish futbollisti dhe ish trajneri i Vllaznisë Armando Cungu. Shkodranët shfaqen kërkues që në minutën e 3-të kur Latifi godet traversën. Pas katër minutash Hoxhaj ka një shans të artë por i vetëm me portierin e dërgon mbi traversë topin. E treta e vërteta dhe Vllaznia gjen avantazhin. Është Heriç që vallëzon në mesfushën e Kukësit dhe shfrytëzon një hapësirë duke goditur saktë.
Një gol i bukur në minutën e 33 që justifikon rikthimin e tij në formacion. Është minuta e 33 por për Hoxhaj nuk është dita me fat. Kalon portierin mik por nuk arrin të shënojë për të çuar në 2-0 rezultatin. Edhe pjesa e dytë nis me Vllazninë në sulm. Latifi brenda zonës nuk tregohet i saktë më gjuajtjen e tij ndërsa Jonuzi në minutën e 51 i vetëm shpërdoron një mundësi shumë të mirë duke goditur shtyllën pingule. Kukësit i mjafton një dalje në portën shkodrane për të barazuar shifrat.
Zhivkoviç në minutën e 51 sjell shpresën për miqtë me golin e tij. Pas 20 minutash kuksianët tregojnë se janë zgjuar dhe është Peposhi që vë në provë portierin Zogoviç i cili pret atë gjuatje të fortë. Sërish Pepoashi në minutën e fundit ka mundësi që t’i japë fitoren Kukësit por i vetëm përballë Zogoviç e çon topin jashtë. Minutat shtesë janë drithëruese. Në minutën e 92-të Vllaznia fiton një penallti por gjyqtari Kridens Meta e anullon përmes sistemit VAR. Shkodranët nuk dorëzohen.
Kaina merr bukur një top dhe jep një assist për Herald Markun i cili çon në delir të gjithë sepse gjuajtje e tij përfundon në rrjetë duke vulosur fitoren e kuqebluve në shifrat 2-1 dhe duke siguruar tri pikët e para. Pas ndeshjes trajneri i Vllaznisë Mirel Josa i cili iu gëzua shumë kësaj fitoreje u shpreh se skuadra e tij e dominoi ndeshjen dhe e meritoi këtë fitore. Për rastet e humbura të Vllaznisë, Josa nuk ndjen asnjë zhgënjim.
Trajneri i Kukësit Skender Gega tha pas kësaj humbje në Shkodër se Vllaznia nuk vodhi asgjë ndërsa kërkon që skuadra e tij të ruaj qetësinë edhe pse i ka bërë një nisje aspak të mirë kampionatit.
Vllaznia ndeshjen e radhës do ta ketë me Tiranën në transfertë nga ku do të kërkojë një tjetër rezultat pozitiv.