Në barazim 2-2 është mbyllur ndeshja e javës së tretë të kampionatit kombëtar të futsallës në mes Vllaznisë dhe Flamurtarit, e luajtur mbrëmjen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Të parët kanë kaluar në avantazh vlonjatët me anë të futbollistit Shehaj, por për të barazuar shifrat mendoi kapiteni i skuadrës shkodrane, Senad Lekaj. Megjithatë, ky barazim nuk zgjati shumë, sepse shkodrani Semir Gokaj që luan për Flamurtarin, shënoi dhe e kaloi sërish në avantazh ekipin e tij. Në vijim, ndeshja do të kishte sërish shumë emocione dhe për të barazuar do të mendonte një tjetër emër i njohur i futbollit shkodran, pikërisht Alsid Tafili. Pas rezultatit 2-2, nuk munguan edhe përpjekjet për të dy ekipet, por nuk pati gola të tjerë dhe kështu, gjithçka u mbyll në barazim dhe ekipet kanë ndarë nga një pikë. Pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë së futsallës, Bujar Celufaj, tha se ekipi i tij po përmirësohet në lojë ditë pas dite.
Ndërkohë, edhe presidenti i Vllaznia futsall, Fisnik Barbullushi, u shpreh se ishte një ndeshje mjaft emocionuese, por u shfaq i keqardhur që kuqeblutë nuk arritën fitoren.
Për Vllazninë, kjo është pika e parë e marrë në këto tre javë kampionat, por me siguri që në ndeshjet e ardhshme, rezultatet pozitive për ekipin e drejtuar nga trajneri Bujar Celufaj, nuk do të mungojnë.