Vllaznia futsall nuk ka mundur dot të kualifikohet për në finale të Kupës së Shqipërisë. Edhe pse me një lojë të mirë, ajo është mposhtur 8-9 nga Partizani, në gjysmëfinalen e luajtur në Durrës. Golat për ekipin shkodran u shënuan nga Tafili dhe Gjoklaj, nga dy herë secili, si edhe kapiteni Lekaj, Hyseni, Djepaxhia dhe Ujka. Në fakt, kjo ndeshje prodhoi rivalitet dhe emocione të shumta, por në fund gjithçka foli në favor të Partizanit. Takimi nisi në mënyrën më të mirë për Vllazninë, e cila pas largimit të trajnerit Bujar Celufaj, prej dy ndeshjesh është duke u drejtuar nga drejtori sportiv, Arben Xhaferi. Shkëndijën e parë për kuqeblutë e dha kapiteni Senad Lekaj, që shënoi që në minutën e parë të ndeshjes.

Megjithatë, nuk do të vononte kundëpërgjigja e Partizanit, duke e barazuar rezultatin në 1-1, por gjithsesi Vllaznia kalon edhe dy herë të tjera në avantazh në pjesën e parë. Megjithatë, Partizani arrin ta përmbysë rezultatin dhe pjesa e parë mbyllet me fitoren e tyre, 3-4. Edhe pjesa e dytë shoqërohet me të njëjtat emocione, por çuditërisht, Vllaznia përfshihet në gabime të shumta, duke nisur nga porta, por edhe në mbrojtje, gjë që sjell pësimin e disa golave rradhazi, të cilët duhet thënë se ishin krejtësisht të evitueshëm.

Avantazhi i Partizanit shkon 9-4, por trajneri i Vllaznisë, Arben Xhaferi, ndërhyn në formacion dhe më pas ndryshohet tërësisht rrjedha e lojës. Kështu, krahas golave të Lekajt dhe dy të Tafilit në pjesën e parë, në minutat e fundit të ndeshjes, kuqeblutë arrijnë të shënojnë dy gola me Gjoklajn, Hysenin, Djepaxhinë dhe Ujkën, duke e dërguar rezultatin në 8-9 dhe duke tronditur disi Partizanin.

Gjithsesi, nuk do të kishte më kohë dhe të kuqtë fitojnë me rezultatin 8-9, duke u kualifikuar në këtë mënyrë në finalen e Kupës së Shqipërisë. Në këtë ballafaqim duhet thënë se Vllaznia e futsallës mori vlerësime pozitive, por gabimet amatoreske të portierit Masinji, e ndëshkuan atë, duke e eleminuar nga gara për fitimin e Kupës së Shqipërisë.

Artikulli paraprakEDMOND DOÇI: TANI NJË VLLAZNI TJETËR
Artikulli tjetërSURPRIZA E BUJAR QAMILIT PËR BASHKËSHORTEN