Vllaznia e futsallës është rikthyer tek fitorja. Kuqeblutë arritën një sukses mëse të merituar ndaj Flamurtarit, duke e mposhtur me rezultatin 5-3, në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Takimi u shoqërua me rivalitet të madh, por shkodranët ishin më konkret në lojën e tyre dhe si rrjedhojë arritën ta administrojnë avantazhin e krijuar, duke dalë me sukses nga kjo ndeshje, edhe falë mbështetjes së publikut.
Për Vllazninë në këtë ndeshje arritën të shënojnë Besfort Gjoklaj tre gola, si edhe Alsid Tafili e Saimir Hyseni, duke fiksuar shifrat 5-3 në favor të kuqebluve.
Pas javës së nëntë të kampionatit, shkodranët kanë arritur të grumbullojnë 11-pikë, duke ndarë me Partizanin vendin e dytë dhe të tretë të renditjes.