Vllaznia futsall nuk di të fitojë. Edhe në ndeshjen e javës së katërt, atë ndaj Partizanit të luajtur pasditën e së dielës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, gjithçka është mbyllur në shifrat e barabarta 5-5. Në fakt, ka qenë një përballje shumë e luftuar, ku ekipi shkodran ka kaluar pesë herë në avantazh, por në të pesë rastet është barazuar nga të kuqtë, madje golin e fundit, ata e shënuan vetëm 35-sekonda pa përfunduar ndeshja. Kështu, ka qenë Alsid Tafili që ka zhbllokuar takimin që në minutat e para, por më pas Partizani barazoi. Ari Djepaxhia shënoi të dytin për Vllazninë, para se Partizani të barazonte sërish.

Megjithatë, pas një penalltie, Djepaxhia do të shënonte edhe golin e tretë. Ndërkohë që, Partizani do të barazonte për të tretën herë. Megjithatë, në fund të pjesës së parë, Saimir Hyseni do të shënonte golin e avantazhit për kuqeblutë. Në pjesën e dytë ishte Partizani që arriti të barazojë në 4-4, por kapiteni shkodran Senad Lekaj katër minuta para fundit, shënoi një gol shumë të bukur, duke rikthyer avantazhin në 5-4 për Vllazninë dhe në fakt, ndeshja po shkonte drejt fitores për kuqeblutë. Megjithatë, 30-sekonda para fundit, do të ishte Partizani që do të barazonte në 5-5 dhe këtu u mbyll gjithçka, teksa të dy ekipet ndanë nga një pikë. Pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë, Bujar Celufaj, tha se fati nuk e ndihmoi ekipin e tij.

Nga ana tjetër, trajneri i Partizanit, Irtan Seiko tha se barazimi ishte rezultati më i drejtë.
Për Vllazninë, ky barazim është i dyti rradhazi pas dy humbjeve të pësuara dhe si rrjedhojë, me vetëm 2-pikë të grumbulluara ndodhet në vendin e fundit të renditjes.

Artikulli paraprakKURBIN, FSHATRAT GALLAT DHE VINJOLL PA MJEK
Artikulli tjetërSTAR SPORT – 22.01.2024