Vllaznia e futsallës do të nisë sezonin e ri këtë të dielë dhe duket se do të jetë me synime shumë ambicioze. Ekipi kuqeblu është gati për startin e sezonit, teksa një gjë të tillë e pohon edhe drejtori teknik i Vllaznisë në futsall, Arben Xhaferi. Ky i fundit, duke folur për ekipin shkodran, tha se skuadra është e kompletuar, ndërsa shtoi se sivjet pjesë e Vllaznia futsall do të jetë edhe Alsid Tafili si zv/trajner dhe si lojtar.
Xhaferi tha se financat janë të garantuara tek Vllaznia e futsallës, teksa një ndihmë e madhe këtë fillim sezoni ka ardhur edhe nga grupimi i tifozëve “Vllaznia Diasporë”.
Xhaferi u shpreh se shpreson shumë që në Shkodër të sjellin një Kupë prej këtij sporti, por theksoi se faktorët e jashtëm e bëjnë të vështirë diçka të tillë.
Ndeshjen e parë të kampionatit, Vllaznia futsall do ta luajë kundër ekipit të Partizanit në transfertë.