Te Vllaznia kanë nisur të mendojnë për ndërhyrjet e para në merkaton e janarit. Nga sa mësohet, pritet të largohet ndonjë nga futbollistët që nuk ka bindur aq sa duhet dhe poashtu do të synohet edhe gjetja e ndonjë lojtari cilësor për përforcimin e skuadrës. Megjithatë, duket se kuqeblutë e kanë “prenotuar” afrimin e parë. “Star Plus” ka mësuar se futbollisti i parë i cili pritet të firmosë gjatë janarit është mbrojtësi shkodran, Serjan Repaj. Ky i fundit ka disa javë që stërvitet me Vllazninë U-21 dhe performanca e treguar vitet e fundit me Apoloninë, ekip ku ai ka qenë pjesë për disa sezone me rradhë, duket se i ka bindur drejtuesit për vlerat që posedon.

Në fakt, bëhet fjalë për një futbollist të dalë nga Akademia Vllaznia, por që shkëlqimin e tij e kishte në Fier me Apoloninë, aty ku luajti për disa vite me rradhë. Repaj luan si qendërmbrojtës, repart ku Vllaznia e ka shumë të nevojshëm përforcimin e saj. Si rrjedhojë, tashmë duke qenë se ai është futbollist i lirë, pasi është larguar nga Apolonia, pritet që në ditët në vazhdim të hidhet edhe firma në kontratë. Repaj, tashmë në moshë 24-vjeçare, është një futbollist i rritur tek Akademia e Vllaznisë, me të cilën ka luajtur deri me grup-moshën U-19.

Më pas, ka kaluar tek Apolonia, ku ka luajtur për katër sezone me rradhë. Në fakt, gjatë verës, Repaj ka qenë shumë pranë firmës me dy ekipe të Superiores, siç janë Skënderbeu dhe Bylisi, por çdo gjë është prishur nga kontrata që ai kishte në Fier, që iu bë pengesë. Tashmë, me mbylljen e bashkëpunimit me Apoloninë, Repaj është futbollist i lirë dhe si rrjedhojë, karriera e tij do të vijojë tek Vllaznia, me drejtuesit kuqeblu që kanë vendosur për ta marrë në ekip, teksa në ditët e para të janarit pritet të zyrtarizohet edhe arritja e marrëveshjes.

Artikulli paraprakVLLAZNIA PËRMBYS ELBASANIN
Artikulli tjetër“DASMA E SKENDERBEUT” NË SHKODËR