Edhe pse ka vetëm pak ditë që ka mbaruar sezoni, Vllaznia është një nga skuadrat e Superiores më aktive në merkato. Klubi kuqeblu kërkon të vendosë shpejt piketat për ndërtimin e skuadrës që do të luajë në Conference League dhe në sezonin e ri. Prandaj, duket se drejtuesit kanë hyrë fuqishëm në merkato, duke bërë lëvizje të njëpasnjëshme, me qëllimin që të përforcojnë rradhët e ekipit me elementë cilësorë për turet e Conference League që do të zhvillojnë në muajin korrik. Kështu, Erdenis Gurishta është shumë pranë finalizimit të akordit për t’u bërë përsëri pjesë e kuqebluve, pas largimit nga CSKA Sofia. Ish-kapiteni i Vllaznisë, u largua në verën e kaluar për të nisur një eksperiencë të re në Bullgari, por gjërat nuk shkuan siç shpresonte ai dhe pas një dëmtimi të gjatë, mbrojtësi i djathtë doli jashtë planeve të klubit në fjalë. Megjithatë, futbollisti ka qenë në kontakte vazhdimisht me klubin kuqeblu për një rikthim të mundshëm në Shkodër dhe tashmë, gjërat janë shumë pranë. Gurishta është takuar me presidentin Alban Xhaferi dhe drejtorin sportiv Tefik Osmani dhe palët duket se kanë gjetur gjuhën e përbashkët për një rikthim të mbrojtësit të djathtë në rradhët e kuqebluve, për t’u vendosur në dispozicion të trajnerit Thomas Brdariç, i cili e njeh shumë mirë. Ky afrim i ish-kapitenit padiskutim që do të ishte një përforcim cilësor për klubin shkodran. Ndërkohë, përveç Gurishtës, kuqeblutë kanë arritur të gjejnë akordin me një tjetër futbollist, i cili rrit ndjeshëm cilësinë dhe konkurrencën në rradhët e mesfushës së tyre. Nga sa mësohet, klubi ka gjetur akordin me Ardit Deliun, i cili sapo është larguar nga Tirana dhe ishte në kërkim të një skuadre tjetër për të vazhduar karrierën. Palët kanë qenë në bisedime dhe kanë gjetur edhe marrëveshjen për ta bërë Deliun një nga përforcimet e para për Brdariç për edicionin e ri. Poashtu, përveç Gurishtës dhe Deliut, klubi shkodran po kërkon që të ketë në ekip edhe shërbimet e mbrojtësit Melos Bajrami, ish-futbollist i Gjilanit në Kosovë. Bajrami shihet si një ndër futbollistët kosovarë më me perspektivë, teksa sezonin e kaluar zhvilloi paraqitje tepër pozitive, duke siguruar mbijetesën në Superligën e Kosovës me ekipin e Gjilanit. Më parë, Bajrami ka qenë pjesë edhe e Skënderbeut të Korçës në Abissnet Superiore. Tashmë, në orët në vijim pritet vetëm që klubi i Vllaznisë t’i zyrtarizojë këto afrime.

Artikulli paraprakFESTA E ABETARES NGA SHKOLLA “ISMAIL QEMALI”
Artikulli tjetërUJËSJELLËSI SHKODËR, PASTRIM OBJEKTEVE KRYESORE