KALOHEN 9 MLN LEKË, DO TË KRIJOHET BORDI I RI DREJTUES. Këshilli i Bashkisë së Shkodrës ka miratuar hapjen e procedurave për prishjen e kontratës mes Vllaznisë dhe “Gea Sport”. Pas shumë diskutimesh nga Këshilltarët dhe drejtuesit e Bashkisë, është vendosur gjithashtu edhe kalimi i fondit prej 9 mln lekësh të rinj si shtim kapitali për k.f Vllaznia sh.a.
Ndërkohë që këto fonde do të përdoren vetëm me krijimin e bordit të ri të klubit shkodran. Për të arritur në këto vendime, ka patur reagime të shumta në Këshill. Tashmë Vllaznia brenda 10 ditësh do të kalojë sërish nën administrimin e Bashkisë, ndërkohë që po brënda këtij afati do të bëhet shkarkimi i të gjithë bordit drejtues. Sipas propozimit të Këshilltarëve ky bord do të përbehet nga 5 anëtarë të Këshillit, ndryshe ngaqë është bërë vitet e fundit.