Vllaznia do të luajë të shtunën një ndeshje delikate për vazhdimësinë në kampionat, pikërisht në transfertë ndaj Skënderbeut në orën 17:00 në stadiumin e Korçës. Situata te kuqeblutë nuk është e mirë dhe 9-pikë në 8-javë kampionat kanë lënë të zhgënjyer drejtuesit dhe sigurisht, edhe tifozët shkodranë, të cilët prisnin që skuadra të ishte të paktën në 4-she brenda fazës së parë. Megjithatë, të paktën për momentin, trajnerit Migen Memelli i është dhënë besim nga presidenca për të vijuar punën i qetë, por vetë kreu i klubt, Alban Xhaferi, në një prononcim javën e kaluar në “Star Sport”, bëri të ditur se pret reflektim nga skuadra, duke filluar nga ndeshja e rradhës. Në këtë duel, kuqeblutë do të shkojnë në Korçë me një “mal” me mungesa.
Mbrojtësi i djathtë, Geralb Smajli, i cili së fundmi luajti edhe me Kombëtaren U-21, si edhe mesfushori Ardit Krymi, nuk do të jenë të gatshëm për shkak kartonësh. Në të njëjtën kohë, për shkak dëmtimesh nuk janë ende të gatshëm për këtë takim portieri Kristi Qarri, mbrojtësit Flori Spahija dhe Xhelil Asani, si edhe sulmuesi Bruno Gomes. Edhe pse një pjesë e tyre janë rikthyer në stërvitje, nuk janë në gjendjen optimale për t’u luajtur. Mirëpo, shqetësimi më i madh para ndeshjes me Skënderbeun, është pikërisht mbrojtësi i majtë, Esin Hakaj. Ai mësohet se ka ndjerë shqetësime sërish në pulpë dhe gjithçka do të shikohet në seancën e fundit stërvitore. Në rast mungese të Hakajt, alternativat në krahun e majtë të mbrojtjes janë pothuajse zero, vetëm në rast spostimi të Esat Malës si mbrojtës i majtë. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë në seancën e fundit stërvitore që Vllaznia do të ketë në prag të ndeshjes ndaj Skënderbeut.