Vllaznia vijon seancat stërvitore dy herë në ditë, të parën në palestër dhe të dytën në fushën sportive të Golemit, ku trajneri Thomas Brdariç është përqëndruar më së shumti tek ana taktike. Ajo që e ka shqetësuar trajnerin gjerman dhe stafin e tij ka të bëjë me problemet fizike që kanë disa futbollistë, duke nisur nga Melos Bajrami, i cili mungon prej disa javësh. Mbrojtësi po e zhvillon fazën e rikuperimit në Kosovë dhe nuk do të jetë gati për disa javë. Të diferencuar nga grupi kanë qenë edhe mbrojtësi Beci dhe Yago, të cilët kanë bërë vetëm vrapime. Megjithatë, shqetësimi më i madh për momentin te Vllaznia është Ildi Gruda. Sulmuesi, i rikthyer së fundmi nga një dëmtim, ka lënë përgjysmë seancën stërvitore, pasi ka ndjerë shqetësim në gjurin e këmbës së djathtë.
Nga sa mësohet nga stafi mjekësor, dëmtimi i Grudës ka ardhur në menisk, gjë që do ta mbajë rreth një muaj larg fushave dhe nuk do të mund të jetë në dispozicion të trajnerit Thomas Brdariç. Ndërkohë, merkatoja e Vllaznisë mbetet ende e hapur. Me largimin e malazezit Taloviç, klubi kuqeblu mbetet në kërkim të një futbollisti në majën e sulmit, që do të jetë alternativë e Balajt. Megjithatë, shkodranët po shohin edhe për një mbrojtës të majtë, pasi nuk kanë garanci të plotë te braziliani Yago, i cili edhe është dëmtuar së fundmi. Në seancën e fundit stërvitore është bashkuar me skuadrën shkodrane edhe një mbrojtës i majtë në provë dhe bëhet fjalë për Arton Podrimcakun.
Ai vjen nga ekipi i Flamurtarit, nga ku u largua së fundmi. Ky futbollist do të qëndrojë pak ditë në provë tek Vllaznia. Në fakt, ka qenë trajneri Brdariç ai që ka kërkuar edhe një mbrojtës të majtë, ndoshta pa qenë shumë i bindur me Yagon. Tashmë, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me Arton Podrimcakun.