Më shumë se kurrë Vllaznia rrezikon të bie nga Kategoria Superiore.

Teksa flitej për daljen në Kupat e Europës, kuqeblutë kanë humbur 1-0 me Teutën në Durrës. Duhet edhe një javë që kampionati të mbyllet dhe Vllaznia në këtë fazë të fundit në 8 ndeshje të luajtur nuk ka marrë asnjë fitore ndërsa ka grumbulluar 4 pikë gjithsej. Për Vllazninë barazimi i Flamurtarit me Laçin dhe fitorja e Tiranës me Luftëtarin ia vështirësojnë ndjeshëm situatën.

Tashmë gjithçka do të zgjidhet vetëm në javën e fundit teksa Vllaznia pret në Shkodër Tiranën në një sfidë direkte për mbijetesën. Shkodranët u duhet minimalisht barazimi sepse nëse fitojnë bardheblutë me shumë gjasa Vllaznia bie në Kategorinë e Parë. Nga skuadrat që rrezikojnë Laçi pret në shtëpi Teutën ndërsa Flamurtari udhëton drejt Peshkopisë për të luajtur ndaj vendit të fundit që është Korabi. Një fitore e laçianëve dhe vlonjatëve u siguron atyre mbijetesën ndërsa ekipi që i jep lamtumirën Superligës është Vllaznia ose Tirana.

Një klasike e futbollit shqiptar që në vend të dueleve të përhershme për titull kampion, ky sezon i gjen në një sfidë për mbijetesën. Në ndeshjen ndaj Teutës pjesa e parë u mbyll 0-0 dhe kuqeblutë shpresuan për të ruajtur këtë rezultat deri në fund. Me fillimin e pjesës së dytë Vllaznia mbet me 10 futbollistë pasi Shtubina merr karton të verdhë pas një ndërhyrje të ashpër ndërsa për protestë merr edhe kartonin e dytë të verdhë duke u larguar me të kuqe.

Teuta e ka më të lehtë me epërsinë numerike dhe shton presionin. Është Progni ai i cili në minutën e 57 realizon golin e fitores me një goditje të kalibruar. Durrsakët dinë të ruajnë avantazhin deri në fund duke marrë këtë fitore që jo vetëm i siguron mbijetesën por i shton shpresat që në javën e fundit të kapin vendin e katërt duke qenë vetëm një pikë larg Luftëtarit.

Nga ana tjetër në javën e parafundit Kukësi është kurorëzuar si ekipi kampion pas fitores 2-0 ndaj Skenderbeut. Java e parafundit e kampionatit pati shumë tension duke qenë se në 4 ndeshje u dhanë 7 kartonë të kuq ndërsa janë shënuar vetëm 5 gola.

Artikulli paraprakE DIELA, 2 MUZE NË SHKODËR NUK OFROJNË SHËRBIM
Artikulli tjetërPRESIDENTI DEKRETON 25 QERSHORIN PËR ZGJEDHJET