Vllaznia është përfshirë së fundmi në një situatë të pakëndshme, teksa ka humbur gjyqin në FIFA me klubin maltez të Valletës. Në fakt, bëhet fjalë për një padi që maltezët kanë bërë kundër Vllaznisë për mbrojtësin Eslit Sala, i cili iu bashkua shkodranëve në qershor të këtij viti. 23-vjeçari debutoi me kuqeblutë në Conference League kundër Linfield, ndërsa luajti edhe në javën e parë të kampionatit ndaj Kukësit. Po cilat janë pretendimet e Valletës? Klubi maltez ka kërkuar një dëmshpërblim për kompensimin e trajnimit të futbollistit, i cili ka qenë pjesë e Valletës nga viti 2019 deri në 2023. FIFA, pasi ka shqyrtuar çështjen, ka vendosur që Vllaznia i detyrohet Valletës një shumë prej 80-mijë euro. Kjo është kostoja që rëndon mbi klubin shkodran për transferimin e Salës, por juristët e Vllaznisë nuk e kanë lënë me kaq. Ata kanë kundërshtuar vendimin e FIFA-s, duke përdorur argumentet e tyre për taksën e formimit dhe faktin që futbollisti shkodran ka ardhur te Vllaznia kur i kishte mbushur 23-vjeç. Pra, federimi i tij për llogari të shkodranëve është bërë kur Sala i kishte mbushur 23-vjeç, që është edhe kufiri për pretendimet e një klubi rreth kompensimit të trajnimit. Megjithatë, burime pranë drejtuesve kuqeblu tregojnë se kjo çështje do të shkojë tashmë në KAS-in e Lozanës, aty ku Vllaznia do të paraqesë prova për të rrëzuar vendimin e FIFA-s, që e detyron tashmë klubin shkodran të dëmshpërblejë Valletën me 80-mijë euro. Kujtojmë që, Eslit Sala e ka nisur karrierën te Akademia AAS në Shkodër, duke qenë pjesë e skuadrave të moshave në vitet 2016-2019. Tashmë, në vazhdim mbetet për t’u parë se si do të shkojë proçesi gjyqësor në KAS-in e Lozanës, pasi në rast humbje të gjyqit edhe aty, drejtuesit e Vllaznisë janë të detyruar të paguajnë një shumë prej 80-mijë eurosh kundrejt klubit maltez të Valletës.

Artikulli paraprakPOLICIA E SHKODRËS 844 GJOBA NË 2 JAVË
Artikulli tjetërTABAKU: QEVERIA NËNSHKRUAN KONTRATË HUAMARRJE ME GIZ PËR LANDFILL