Eliminimi nga “Conference League” ende nuk është harruar në Shkodër, por te Vllaznia duan ta lënë pas dhe të nisin të mendojnë për atë se çfarë i pret në sezonin e ri të futbollit shqiptar. Pikërisht për këtë arsye, pushimet e futbollistëve kuqeblu kanë marrë fund dhe nga dita e mërkurë, ata do t’i rikthehen sërish fushës së stërvitjes për të vijuar me përgatitjet. Në fakt, që pas ndeshjes së kthimit ndaj Valur, trajneri Thomas Brdariç i kishte lënë pushim futbollistët e tij, para se për ta të rinisë sërish periudha e ngarkesës në stërvitje. Ndërkohë nga ana tjetër, përveç përgatitjeve për fillimin e kampionatit, e sigurtë është që te Vllaznia do të ketë sërish ndërhyrje në merkato, e cila sipas drejtuesve të klubit konsiderohet mëse e domosdoshme. Në tryezën e drejtuesve janë disa emra nga kampionati shqiptar, por edhe nga jashtë vendit.

Njëri prej tyre ishte edhe emri i Odise Roshit, me të cilin Vllaznia ka patur bisedime konkrete pak kohë më parë, por me sa duket mesfushori ka vendosur që të vazhdojë të qëndrojë në Turqi, ku ka luajtur në edicionin e fundit. Ndërkohë, kampionati i Superiores starton me 18-gusht, teksa ndeshja e parë do të jetë në transfertë ndaj Partizanit dhe padyshim që te Vllaznia kanë nisur të mendojnë që tani për të. Në pritje të datës 18-gusht, Vllaznia do të zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore, të cilat do të zbulohen në ditët në vijim. Edhe këtë sezon, objektivi i kuqebluve do të jetë për të konkurruar deri në fund për titullin kampion, por kjo do të varet edhe nga rezultatet që ata do të arrijnë në fushën e lojës.

Artikulli paraprakLUHATJA E TENSIONIT PROBLEM, JA KËSHILLAT E NJKVSH
Artikulli tjetërSHKODËR, 8 VJETORI I GRUSHTIT TË SHTETIT NË TURQI