Ka mjaftuar një fitore e Vllaznisë me Laçin në shifrat 1-0 që ish-drejtori teknik i Vllaznisë turku Engin Firat të shpërthejë me një reagim të tijin. Ndërsa i ka mbaruar kontrata prej më shumë se një muaji, turku Firat ka shkuar për të kaluar pushimet e tij në Turqi me familjen pavarësisht se Vllaznia notonte mes vështirësive.

Turku Firat ende nuk ka nënshkruar një kontratë të re me kuqeblutë dhe nuk dihet nëse do të ndodh një gjë e tillë. Firat ka shpërthyer duke harruar se është vetëm përballja e parë e Superligës. Në sezonin 2017-2018 Vllaznia fitoi ndeshjen e parë në transfertë me Lushnjen por po atë sezon ra nga Kategoria Superiore. Ja se çfarë shkruan ish drejtori Firat në reagimin e tij: “Urime për fitoren e Vllaznisë. Do të dëshiroja të jepja disa informacione për tifozët e Vllaznisë. Laçi luan prej shumë vitesh bashkë, ata kanë luajtur këtë verë në Kupën UEFA dhe kanë 9 javë që stërviten dhe janë në maksimum fizikisht.

Ndaj kjo ndeshje ishte shumë e vështirë dhe e rëndësishme”. Kjo është e vërtetë por po aq e vërtetë është që Laçi i këtij sezoni është skuadra më e dobët krahasuar me kampionatet e kaluara. Ish drejtori vijon më tutje duke thënë se: “Vllaznia u detyrua të përballonte probleme të pabesueshme për shkak të politikës. Këto probleme vazhdojnë edhe tani. Në këtë situatë të vështirë, ASKUSH, e përsëris ASKUSH, nuk e ndihmoi klubin. As me 1 lek. Suad Lici u desh të organizonte financat personalisht. Normalisht, në këtë situatë është e pamundur që të ndërtosh një skuadër”.

Nëse Vllaznia paska probleme për shkak të politikës atëherë cilat janë këto probleme, përse drejtuesit nuk i bëjnë të ditura. Ish drejtori thotë se administratori por organizon klubin me financa personalisht por a është e lejueshme një gjë e tillë duke qenë se Vllaznia pretendon se është një ekip transparent. Firat shton se: “Skuadra e filloi shumë vonë me stërvitjen. Kjo skuadër u stërvit vetëm për 4 javë dhe nuk mund të jetë në kushte të mira fizike. Shumë lojtarë të rinj u desh të përshtateshin, 3 brazilianë erdhën javën tjetër.

Si i quajtën brazilianët pa i parë asnjëherë? “Turistë”, “invalidë”, “amatorë” dhe me 2 stërvitje Hygor luajti dhe shënoi një gol “amator”. Ju kujtohet viti i kaluar kur morëm Silvio Zhunior. Disa ekspertë thanë se ai nuk kishte shënuar asnjëherë në jetën e tij. Skandal! Ai u bë golashënuesi më i mirë, pastaj të njëjtët ekspertë thanë se si ne e lejuam të largohej. Për shkakun se ai shënoi kaq shumë gola, mori një ofertë të mirë.

Kaq e thjeshtë. Pasi ne nuk mund të paguajmë rrogat që janë paguar 2 vite më parë! Kjo skuadër është ndërtuar me një buxhet shumë më të ulët sesa 2 vite më parë. Kushdo që e njeh futbollin vetëm pak, e di që kjo skuadër ka nevojë për 3-4 javë që të jetë në të vërtetë e gati fizikisht dhe të përshtaten njëri me tjetrin”.

Fakti që Vllaznia e nisi vonë stërvitjen sërish mbetet një problem i vetë klubit dhe nuk mund të jetë një justifikim aq më tepër kur kjo histori përsëritet çdo vit. Ish drejtori Firat në fund i uron suksese Vllazisë dhe kërkon që tifozët ta mbështesin në ndeshjet e ardhshme.

Artikulli paraprakSHTUBINA: VLLAZNIA NJËSOJ SI E LASHË, NDRYSHOJNË LOJTARËT
Artikulli tjetërME PISTOLETË NË BREZ PËR TË VRARË NËNËN E TIJ, KAPET 38-VJEÇARI