Vllaznia vazhdon që të ketë rrjedhje të lojtarëve të saj. Më shumë po largohen ndërkohë që ende nuk ka asnjë perforcim.
Lojtari i radhës që mund t’i japë lamtumirën kuqebluve është mesfushori me tipare sulmuese Arlind Kalaja. Shkodrani me një moshë të re ka udhëtuar drejt Italisë për t’u provuar tek skudra e Peskarës në serinë B. Kalaja sapo ka mbërritur në Itali dhe menjëherë do të nisë provat atje. Në rast se mesfushori merr një përgjigje pozitive dhe e kalon me sukses provën atëherë do të kërkojë natyrshëm të largohet nga Vllaznia. Patjetër që largimi i tij ashtu si edhe i disa futbollistëve të tjerë krijon jo pak probleme për skuadrën shkodrane e cila ndodhet mes shumë vështirësive aktualisht. Kalaja nuk është i vetmi që mund të largohet sepse një gjë të tillë e ka kërkuar edhe Haxhibuliç për shkak të problemeve familjare që ka. Ndërsa është prishur kontrata me Martinez më e vështirë është me Paviçeviç dhe Kdouh. Të dy këta mund t’i drejtohen FIFA-s. Paviçeviç ka marrë një këst në dorë fillimisht prej 10 mijë eurosh ndërsa tani nuk pranon të prishë në mënyrë të njëanshme kontratën e tij me kuqeblutë duke detyruar që ta paguajnë. Kdouh ndodhet në Liban dhe ai është i larguar sepse nuk disponon lejeqëndrimin në Shqipëri. Ka edhe lojtarë të tjerë si Hakaj, Krymi apo Çinari të rinjtë e Vllaznisë që kanë një të ardhme të cilët kërkohen nga ekipe të tjera të Superligës dhe në rast se ndonjëri prej tyre vendos të largohet atëherë ekipi kuqeblu thuajse mbetet gjysmak sa i përket përbërjes me futbollistë. Kërkohet që të bëhen përforcime në merkato por e para është ana financiare duke qenë se klubi nuk ka para e po ashtu edhe nëse ka mbetet shqetësuese gjetja e lojtarëve cilësor në merkaton e janarit.