Vllaznia-Kastrioti do të jetë ndeshja e radhës që kuqeblutë do të kenë në Shkodër pas dy sfidave në transfertë. Trajneri i kuqebluve Thomas Brdariç thotë se përderisa kuqeblutë janë ende në lojë për titullin kampion do të provojnë deri në fund për ta fituar ndërsa thotë se ky ka qenë një sezon i mirë për shkodranët.

Brdariç nuk e ka harruar sfidën e fundit të Vllaznisë me Kastriotin në Shkodër kur krutanët morën një barazim me vonesa të panumërta loje por tekniku i kuqebluve thotë se pavarësisht këtij stili jo normal të Kastriotit, Vllaznia do e fitojë këtë përballje.

Trajneri Brdariç po rimerr vëmendjen e humbur në Gjermani për shkak të rezultateve që ka arritur me Vllazninë këtë vit por kjo nuk i intereson shumë për momentin duke thënë se plani do vijojë të jetë tek kuqeblutë.

Vllaznia aktualisht është në vendin e katërt me 57 pikë ndaj i nevojitet me çdo kusht një fitore për të shpresuar për të kapur një vend në Kupat e Europës në fund të sezonin. Kjo nuk do të jetë aspak e lehtë sepse pas Kastriotit dy përballjet e fundit Vllaznia do t’i ketë me Partizanin dhe Laçin ndërsa ka edhe një shans tjetër si finalist e Kupës përballë Skenderbeut.

Artikulli paraprakSHKODËR, PROBLEMET E FERMERËVE ME PRODHIMET E TYRE
Artikulli tjetërGURISHTA AKUZON: VLLAZNIA PA ALEANCA, TJERËT AUTOSTRADË