Pas miqësores me Kamzën, Vllaznia po kërkon edhe një tjetër kundërshtar për miqësoren e pestë, pikërisht për të shtunën. Ishte menduar që të luhej ndaj Besëlidhjes, por lezhjanët, përmes trajnerit Kreshnik Krepi, kanë kthyer përgjigje negative. Arsyeja është se skuadra e tij sapo ka filluar stërvitjen dhe nuk është gati për një miqësore të tillë, por të mërkurën që vjen, po.

Megjithatë, kuqeblutë duan të luajnë edhe të shtunë. Në këto rrethana, drejtuesve të Vllaznisë do u duhet të gjejnë një kundërshtar tjetër, kryesisht të Kategorisë së Parë, por nuk përjashtohet edhe Tërbuni, Laçi apo ndonjë ekip tjetër i Superligës. Ideja është që të zhvillohet edhe një ndeshje e pestë para se skuadra të shkojë jashtë Shqipërisë për zhvillimin e një stërvitjeje 10 ditore. Siç dihet, deri më tani kuqeblutë kanë zhvilluar katër ndeshje miqësore, tre prej të cilave i kanë humbur, pikërisht 0-1 ndaj Zetës, 1-2 ndaj Kastriotit dhe 0-2 ndaj Deçiç, ndërsa pasditen e sotme ka fituar të vetmen ndeshje, pikërisht ndaj Kamzës. Megjithatë, kjo e fundit nuk mund të konsiderohet barometër i gjendjes aktuale të skuadrës, prandaj duhen sa më shumë ndeshje të tjera, sepse stafi teknik ka nevojë shumë për kohë në dispozicion për harmonizimin e lojtarëve, sepse skuadra, në krahasim me një sezon më pare, thuajse është tjetërsuar krejtësisht, ngaqë janë larguar shumë lojtarë dhe kanë ardhur të tjerë, që duhet kohë të ambientohen.

Artikulli paraprakURUÇI: OSHEE DUAM BASHKËPUNIM PËR BIZNESET NË VELIPOJË
Artikulli tjetërVLLAZNIA GJEN FITOREN E PARË NË MIQËSORE