Vllaznia ndal ekipet pretendente por nuk di të fitojë me skuadrat inferiore. Kur të gjithë prisnin një fitore ndaj Korabit shkodranët bëjnë një vetëvrasje duke lejuar që dibranët të dalin me një barazim 1-1 nga Shkodra.
Edhe pse tashmë pa asnjë motiv pasi Korabi ka rënë nga kategoria Superiore, kjo skuadër bën surprizën duke i marrë barazimin Vllaznisë. Shkodranët nga ana tjetër nuk mund ta bëjnë të qetë gjumin sepse i largohen jo pak shansit për të qenë në vendin e katërt, pozicion për të cilin tashmë Luftëtari është më afër pas dështimit të Vllaznisë në këtë javë.
Është minuta e 43′ kur Gurishta shënon golin e avantazhit për shkodranët me një goditje me kokë. Sapo nis pjesa e dytë është kapiteni Prençi ai që shfrytëzon një dalje të gabuar të portierit të Vllaznisë duke dërguar në rrjetë topin dhe duke barazuar në 1-1. Vllaznia bën gjithçka për të gjetur golin e fitores por është edhe e pafat sepse godet dy herë shtyllën me Pjeshkën fillimisht dhe Bakajn në fundin e lojës.
Kuqeblutë e morën lehtë këtë takim duke parë edhe humbjet e thella të Korabit në ndeshjet e fundit por dibranët bën detyrën duke rikonfirmuar se në futboll asnjëherë nuk i dihet. Trajneri i Korabit që festoi ditëlindjen me këtë barazim të ekipit të tij thotë se nuk luajtën për Luftëtarin siç aludohet por për dinjitetin e skuadrës së tyre.
Trajneri i Vllaznisë Armando Cungu ka dyshime se Korabi mund të ketë luajtur për Luftëtarin edhe pse nuk e thotë drejtpërdrejtë ndërsa këtë barazim e quan një kolpo të vetë ekipit të tij.
Vllaznia nuk ka një kalendar shumë favorizues këtë fund kampionati sepse javën e ardhshme luan ndaj pretendentëve të Skënderbeut çka ia vështirëson punën për vendin e katërt në renditje.