Këshilli Mbikëyrës i KF Vllaznia ka zhvilluar mbledhjen e radhës për të analizuar nisjen e sezonit futbollistik, problematikën e shfaqur, mungesën e rezultateve në këto javë të para të tij por edhe për të gjetur rrugët e daljes nga kjo situatë.
Në këtë mbledhje, përveç pesë anëtarëve të bordit, Xhevdet Amuli, Edip Shiroka, Xhemal Bushati, Luan Heta dhe Avenir Haxhija, ka marrë pjesë edhe kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi. Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë edhe administratori i klubit Vllaznia Neritan Kalamishi, drejtori sportiv Armir Grima dhe trajneri Luan Zmijani. Ka qenë kryetari i Këshillit Mbikëqyrës, z. Amuli ai që ka shpjeguar atë çfarë ka ndodhur gjatë kësaj periudhe të fundit. Në ndërhyrjet e anëtarëve të tjerë të Këshillit është ngritur edhe shqetësimi i merkatos, pse nuk janë mbajtur disa lojtarë shkodranë në skuadër, pse nuk janë marrë disa shkodranë të tjerë që luajnë në ekipe të tjera dhe po ashtu është kërkuar edhe llogari për efektivitetin e merkatos së zhvilluar.
VLLAZNIA, PËRVEÇ MBËSHTETJES KËRKOHET EDHE LLOGARI
Administratori Kalamishi dhe drejtori sportiv Grima kanë shpjeguar çfarë ka ndodhur ndërsa më pas trajneri Zmijani ka bërë një ecuri të hollësishme të punës së bërë, problematikës së hasur dhe nisjes jo të mirë të kampionatit. Këshilli Mbikëqyrës fillimisht dhe më pas edhe kryebashkiakja Ademi kanë garantuar drejtuesit e klubit se tani e tutje do t’i qëndrojnë më pranë skuadrës, dhe se do ndërhyjnë tek Federata për liçensimin e fushës sportive “Reshit Rusi” dhe po ashtu, kanë premtuar që në ditët e para të tetorit do të miratohet edhe fondi prej 200 milion lekësh. Në takim është diskutuar edhe mbi problemin e firmosjes së kontratës në mes Bashkisë Shkodër dhe FSHF-së për stadiumin “Loro Boriçi” dhe kryebashkiakja Ademi ka siguruar që në këtë mes nuk ka asnjë pengesë. Kontrata është gati por i takon Këshillit Bashkiak në bazë të ligjit për ta miratuar atë. Përveç mbështetjes është kërkuar llogari për t’u kthyer sa më shpejt tek rezultatet pozitive, madje duke filluar që nga ndeshja e së dielës me Laçin.