Vllaznia ka rinisur seancat stërvitore në Shkodër pas kthimit nga Bosnja. Pas dy ditëve pushim, kuqeblutë kanë konsumuar proçesin e tyre stërvitor të drejtuar nga ana e stafit teknik, me në krye trajnerin Migen Memelli.

Tashmë, skuadra shkodrane po vazhdon fazën përgatitore në qytetin e vet, pas asaj prej dy javësh në kampingun boshnjak të Medjugorjes. Kështu, në fillim të kësaj stërvitjeje, trajneri Migen Memelli u foli futbollistëve për programin stërvitor dhe për ndeshjen e turit të parë të Konferencë League ndaj Linfield.

Në bisedën me lojtarët e tij, Memelli insistoi se Vllaznia ka një grup kompetitiv dhe me pak impenjim, mund të arrijë gjëra të mëdha në këtë fushatë të eleminatoreve të Conference League. Ekipi u stërvit normalisht dhe i gjithë grupi është në gjendje optimale.

Ndërkohë, ajo që ra në sy në këtë seancë stërvitore ishte fakti se me Vllazninë është bashkuar edhe qendërmbrojtësi shkodran Ditmir Beci. Ky i fundit ka mbyllur aventurën e tij me Skënderbeun në Korçë dhe gjasat janë që tashmë shumë shpejt ai të zyrtarizohet si futbollisti më i ri i kuqebluve.

Në anën tjetër, në një kohë kur është riformatuar edhe grupi, stafi teknik ka pasur një detyrë të vështirë për ta konturuar ekipin. Megjithatë, skuadra e Vllaznisë po vijon të punojë fort sërish në disa aspekte, duke nisur nga ana tekniko-taktike, displina dhe deri te përgatitjet fizike.

Përgjatë dy javëve në Bosnje, skuadra është “shtrydhur” nga trajnerët, në një punë me intensitet të lartë. Numri një i pankinës shkodrane është shumë kërkues, ndaj futbollistëve.
Deri tani, skuadra e Vllaznisë ka punuar në disa drejtime, duke i kushtuar rëndësi të veçantë ndeshjes së Conference League ndaj Linfield. Objektiv i kuqebluve mbete kualifikimi në turin tjetër edhe pse kjo mbetet një mision jo i lehtë.

Artikulli paraprakMBYLLET FESTIVALI I KËNGËS PËR FËMIJË
Artikulli tjetërSHTYPI I DITËS 8 KORRIK 2023