Vllaznia ka siguruar gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Shkodranët eleminuan jo me pak vështirësi Erzenin në çerekfinale. Edhe pse, shijakasit nga minuta e 40-të luajtën me 10-futbollistë, pas ndëshkimit me të kuq të Atandës, ia dolën ta dërgojnë sfidën në shtesa. Pjesa e parë u mbyll 2-0 për Vllazninë, pas golave të Malës dhe Balajt. Në të dytën, Erzeni ia doli të barazojë, falë një autogoli të Stojanoviç, edhe pse në inferioritet numerik. 2-1 për Vllazninë dhe ndeshja shkoi në shtesa, për shkak se miqtë kishin fituar me të njëjtin rezultat në ndeshjen e parë.
Në 30-minutat e shtesës, kuqeblutë ishin të papërmbajtshëm, duke shënuar katër herë. Gomes me tripletë dhe Balaj ishin autorët e golave, që vulosën shifrat në 6-1 për Vllazninë. Pas kualifikimit në gjysmëfinalen e Kupës, trajneri i Vllaznisë, Qatip Osmani, deklaroi se nuk kishte neglizhencë, por shumica e futbollistëve kanë qenë me ndeshje të plota në sfidat e fundit dhe ndoshta ndikoi lodhja.
Nga ana tjetër, trajneri i Erzenit, Alfred Deliallisi, kishte pretendime për gjykimin, ndërsa shtoi se ekipi duhet të luajë me të njëjtin entuziasëm edhe në kampionat.
Tashmë, kundërshtari i Vllaznisë në gjysmëfinalen e Kupës pritet të përcaktohet me short, i cili do të hidhet javën e ardhshme.