Kategoria Superiore nuk do të startojë më 19-gusht, siç edhe ishte parashikuar nga vetë Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, por është shtyrë për më 26-gusht. Lajmin e ka konfirmuar dje edhe vetë institucioni i futbollit përmes një komunikate zyrtare, duke thënë se kjo gjë erdhi si pasojë e kërkesës së mazhorancës së klubeve. Në fakt, jo të gjitha klubet kanë qenë dakord me këtë shtyrje, pasi tashmë janë prishur planet stërvitore dhe në këtë moment disa mund të favorizohen dhe të tjerë mund të kenë probleme nga ky vendim, duke mos pasur një barazi.
Një nga këto klube që ka qenë kundër faktit që të spostohet me një javë data e nisjes së kampionatit mësohet se është edhe Vllaznia. Arsyeja e vetme, sipas drejtuesve kuqeblu, është fakti se sipas tyre janë prishur planet stërvitore që ato kishin programuar. Realisht, një gjë e tillë duket si një handikap për ekipin e Vllaznisë, i cili ka luajtur edhe në Europë.
Gjithsesi, përtej faktit se cilat skuadra e kanë kërkuar dhe cilat janë kundër apo cilat përfitojnë, në Shqipëri është bërë zakon që fillimi i Superiores të shtyhet gjithmonë, duke treguar një mungesë të theksuar serioziteti për atë që mund të quhet gara më e rëndësishme e futbollit në vend.