Skuadra e Vllaznisë ka lënë Ulqinin në Mal të Zi ku zhvilloi një fazë të shkurtër përgatitore dhe është rikthyer në qytetin e Shkodrës.
Edhe pse lojtarët bashkë me stafin kanë mbërritur të mërkurën, trajneri i Vllaznisë Armando Cungu ka preferuar që të mos bëjë asnjë ditë pushim. Në këtë mënyrë futbollistët kanë zhvilluar stërvitjen e radhës në fushën sportive “Reshit Rusi”. Ashtu si zakonisht ka qenë një seancë intensive e stafit të ekipit kuqeblu. Në këtë stërvitje të zhvilluar me Vllazninë kanë zbritur për t’u provuar dy futbollistë. I pari vjen nga Kosova. Quhet Ylli Prokupica, një mesfushor me tipare sulmuese që vjen nga Peja. 28 vjeçari Prokupica më parë ka luajtur me Besën e Pejës, ekip në të cilin ka luajtur edhe ish-futbollisti i Vllaznisë, kosovari Ilir Nallbani. Nga sa mësohet ka qenë pikërisht Nallbani ai që ka bërë një sugjerim për Prokupicën që të provohet nga trajneri Cungu. Sot ka qenë dita e parë për të ndaj ende nuk është vendosur asgjë. Po ashtu në këtë seancë stërvitore po testohet edhe sulmuesi Bekim Erkoçeviç. Ky është një ish-futbollist që ka dalë nga akademia Vllaznia por që për pak kohë ka qenë edhe pjesë e ekipit të parë. Erkoçeviç ka qenë pjesë e Besëlidhjes së Lezhës sëfundmi dhe atje i ka përfunduar kontrata ndaj po kërkon një mundësi për t’u bërë pjesë e Vllaznisë duke qenë se kuqeblutë kanë mangësi në vijën sulmuese sepse Çinari dhe Kalaja janë të vetmit deri tani. Edhe për sulmuesi shkodran Erkoçeviç trajneri Cungu ende nuk ka vendosur dhe këtë do ta bëjë në ditët në vazhdim pasi të shohë gjendjen e tij sportive. Në rast se as këta dy lojtar nuk e bindin trajnerin Cungu atehërë duhet parë për futbollistë të tjerë edhe pse në këtë merkato të janarit kuqeblutë po hasin vështirësi për të gjetur futbollistë cilësor dhe që bëjnë diferencën. Tekniku Cungu është treguar i prerë në këtë pjesë dhe siç ka deklaruar edhe publikisht nuk ka ndërmend të marrë tek Vllaznia lojtar veç për numër.