Skuadra e Vllaznisë ka lënë Ulqinin dhe është rikthyer në qytetin e Shkodrës.
Pas 10 ditëve të qëndrimit në Malin e Zi kuqeblutë do të vijojnë përgatitjet tashmë sërish në Shkodër. Faza përgatitore në shtetin fqinj nuk ka shkuar shumë mirë për disa arsye të ndryshme. Kryesore kanë qenë kushtet atmosferike aspak të përshtatshme. Reshjet e borës dhe ngricat edhe në Ulqin kanë bërë që Vllaznia të mos zhvillojë disa prej seancave stërvitore ashtu siç duhet. Po ashtu burime pranë klubit bëjnë dije se ka patur probleme edhe me bazën materiale e cila nuk ka qenë ashtu siç duhet duke privuar stafin teknik. Përveç këtyre shumë prej lojtarëve janë prekur nga virusi i gripit që është i përhapur ndjeshëm edhe në Malin e Zi duke bërë që të mos jenë në gjendjen më të mirë shëndetësore. Kështu faza përgatitore nuk ka qenë më e mira e mundshme edhe pse drejtuesit e klubit janë munduar që të krijojnë kushtet e duhura. Ndërsa shumë skuadra po përgatiten në vende të ndryshme Vllaznia nuk ka patur një mundësi tjetër duke u detyruar që të zgjedhë Ulqinin. Burime pranë klubit bëjnë me dije se mbrojtësi belg Muleno vazhdon që të jetë në provë ndërsa ende nuk ka një vendim për të nëse do qëndrojë apo do largohet. Stafi teknik pritet që të japë vendimin përfundimtar për të ndërsa gjasat janë që belgu të largohet për shkak se nuk ka bindur me paraqitjet e tij. Nga ana tjetër në ekip nuk ka ardhur asnjë futbollist tjetër për t’u provuar edhe pse është e domosdoshme gjetja e një sulmuesi, repart në të cilin Vllaznia ka paraqitur vështirësi.